Foto: SHKSHMK

Detaje të operacionit të shpëtimit të një çifti zviceran, u përfshinë SHKMSHK, autoritetet shqiptare, KFOR-i amerikan e vullnetarët

Një operacion shpëtimi, i denjë për skenarë të filmave të Hollywoodit, ka përfunduar me sukses në malet e larta në veri të Shqipërisë.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka treguar në detaje për operacionin e shpëtimit të një çifti zviceran, i zënë nga orteku i borës

Në orët e vona të datës 21.1.2024, SHKSHMK ka pranuar thirrje urgjence nga banorët e zonës së Kalasë së Dodës për një aksident malor që u kishte ndodhur “disa” turistëve zviceranë.

Me të marrë informatën, Shërbimi ka filluar mobilizimin dhe ka arritur të kontaktojë njërin nga të aksidentuarit, i cili përmes telefonit i kishte dërguar koordinatat e vendndodhjes.

Për shkak të barrierave gjuhësore dhe gjendjes të të aksidentuarës, Shërbimi kishte kuptuar se ishin të paktën dy të lënduar dhe së paku dy të zhdukur nën ortek.

Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës, SHKSHMK në koordinim me autoritetet e Shqipërisë kanë lëvizur deri te pika e takimit, prej nga janë nisur në drejtim të të aksidentuarve.

Shërbimit thotë se shpëtuesit është dashur të lëvizin këmbë pasi që në Shqipëri akoma helikopterët nuk mund të navigojnë gjatë natës.

Ngjitja ka zgjatur 4 orë.

Kur kanë mbërritur në vendin e aksidentit, shpëtuesit kanë kuptuar se nuk ka të zhdukur apo të lënduar të tjerë përveç çiftit i cili ishte duke skijuar, kur kanë aktivizuar një ortek, i cili i ka shtyrë rreth 350 metra në drejtim të lugut të malit që shpie në drejtim të fshatit Çajë.

Të aksidentuarit kanë pasur lëndime të ndryshme dhe kanë qenë me hipotermi pasi që kanë qëndruar për një kohë të gjatë brenda borës dhe moti ka qenë me temperatura tepër të ulëta.

Sipas SHKSHMK, autoritetet shqiptare pas agimit të diellit kanë dërguar një helikopter për ndihmë dhe evakuim, por në pamundësi të aterrimit për shkak të konfiguracionit të terrenit është dashur të bëhet një plan B.

Plani ishte realizimi i evakuimit nga ajri me helikopter i pajisur me sistemin e vinçit.

Si mundësi e vetme ka qenë kërkimi i ndihmës nga ekipi i medevac nga KFOR-i amerikan.

Me të marrë urdhrin helikopteri medevac i KFOR-it amerikan nuk vonoi dhe mbërriti në koordintat të cilat i ishin dërguar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës.

Evakuimi është kryer shumë shpejt, duke i dërguar të aksidentuarit në Spitalin e Tiranës dhe është kthyer përsëri për tërheqjen e  dy shpëtuesve ndërsa gjashtë shpëtues me të gjitha paisjet dhe gjërat personale të të aksidentuarve u kthyen këmbë nga vendi i ngjarjes deri te pikënisja.

Operacioni ka zgjatur deri në orët e vona të datës 22.1.2024, duke u përmbyllur me sukses.

SHKSHMK falënderon autoritetet shqiptare për bashkëpunimin dhe mbështetjen, KFOR-in pa të cilin ky evakuim nuk do të kishte sukses, banorët lokalë dhe të gjithë kontribuesit e tjerë.

Një falenderim të posaçëm Shërbimi ka për Ridvan Tahirin nga grupi Vullnetarët, i cili i ka mbështetur dhe koordinuar me kontakte të ndryshme.

Fotot e mëposhtme janë të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës dhe publikohen me lejen e tyre.