Kryetari i Vitisë: KFOR-i amerikan ka ndaluar bashkëpunimin me ne për shkak të tarifës

Update16:51: KFOR ka mohuar deklaratat e Sokol Halitit shkrimi në link 

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka treguar se në zyrën e kabinetit të tij kanë telefonuar nga KFOR amerikan dhe u kanë treguar se kanë anuluar të gjitha donacionet dhe ndihmat për këtë komunë për shkak të tarifës 100 përqind.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, vetë kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Ai tregoi se pas një takimi me ekipin ndërlidhës të caktuar për ndërrimin e komandës së KFOR-it, këta të fundit kanë thirrur në zyrës e kryetarit Haliti duke i thënë se kanë marrë urdhër që të mos dalin në terren deri sa kryeministri Albin Kurti ta heq tarifën ndaj produkteve serbe.

“Jo letër, kanë informuar për një takim, e kam pasur takimin me ekipin ndërlidhës të caktuar për ndërrimin e komandës, me ekipin e re dhe ata kanë thirrë në zyre kanë thanë që kanë qëndrim që mos me dalë në terren deri sa ta heq taksën kryeministri. E kanë thirrë kabinetin edhe tjetra e kanë masandej edhe për coronavirus janë interesuar KFOR me na ndihmu. Për taksë kanë thanë që e kemi një qëndrim që deri sa ta heqim taksën që kontaktet e fonacionet e fondet me i ndalë. Jo vendim nuk ka veç zyrën e kanë thirrë, na kanë thanë i kemi anulu takimet për shkak të kësaj (Tarifës)”, tha Haliti për KALLXO.com.

Tutje, ai shtoi se nuk kanë kërkuar asgjë nga KFOR jashtë bashkëpunimit.

“Ne nuk kemi kërkuar asgjë, kemi pasur takime të rregullta se kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Unë i kam potencuar dy çështje, e para çështja e efiçiencës në energji na si komunë kemi qenë përfitues, projektet e Mileniumit, të MCC-së, edhe ato i kanë anuluar. Domethënë për shkak të kësaj gjendje problemi i taksës, dhe 2 takimet që i kemi pasur me ndërrimin e komandës ekipet ndërlidhëse edhe ato i kanë ndaluar edhe coronavirusi u ba edhe kjo edhe për këtë e kam potencuar por se di qysh e kanë potencuar”, shtoi ai.

KALLXO.com në lidhje me deklaratat e Kryetarit Haliti, ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Kampit “Bondsteel”, Ambasadës Amerikane dhe Komandës së KFOR-it por ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Një zëdhënës i kampit “Bondsteel” ka sugjeruar KALLXO.com që pyetjet të dërgohen në bazë të KFOR-it.

Disa ditë më parë kontingjenti i ushtarëve Amerikan në Kosovë janë ndërruar me kontingjentin e ri të ushtarëve. Ka rastisur që arritja e kontingjentit të ri të jetë në të njëjtën ditë kur senatorë Amerikan përfshirë edhe djalin e  Presidentit Trump kanë kërkuar heqjen e trupave nga Kosova për shkak të refuzimit të qeverisë për ta hequr tarifën.