Foto: KALLXO.com

KFOR ekzaminon pesë “Zolat” që u gjetën në Banjskë

Pesë raketahedhës anti-tank “Zola” u gjetën më 06.03.2024 në afërsi të manastirit të Banjskës në Zveçan.

Këto mjete ushtarake dyshohet se kanë të bëjnë me ngjarjet e 24.09.2023 në fshatin Banjskë, ku në një sulm terrorist mbeti i vdekur rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

E për këta raketahedhës u deklarua edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili tha se ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i Komandës Rajonale në Lindje i ekzaminoi “Zolat”.

Mjetet e gjetura KFOR tha se janë dërguar në laboratorët e forenzikës.

KFOR gjithashtu njoftoi se gjatë gjithë procesit kanë punuar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

“Batalioni i Manovrimit të Komandës Rajonale Lindje po siguron më tej zonën për të parë nëse mund të gjendet diçka e ngjashme e mundshme pranë.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, më 06.03.2024 njoftoi për gjetjen e këtyre “Zolave”.

Në orët e para të 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Hetimet rreth kësaj ngjarjeje po vazhdojnë ndonë kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kur ka ndodhur ajo.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Gjenden 5 “Zola” në Banjskë, dyshohet se u përkasin ngjarjeve të 24 shtatorit