Gjenden 5 "Zola" në Banjskë, dyshohet se u përkasin ngjarjeve të 24 shtatorit

Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan më 06.03.2024 janë gjetur edhe 5 raketahedhës anti-tank “Zola”.

Këto mjete ushtarake dyshohet se kanë të bëjnë me ngjarjet e 24.09.2023 në fshatin Banjskë, ku në një sulm terrorist mbeti i vdekur rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë “Zola”. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”- ka thënë ai.

Në orët e para të 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë, disa u plagosën, e disa u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit iku në Serbi.

Katër muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Millan Radoiçiq, i cili deklaroi publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.