Takimet e ndara në Bruksel të udhëheqësve europianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto: Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në platformën X
Këshilli Europian: Serbia dhe Kosova të zbatojnë marrëveshjet, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit
Këshilli Europian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjet e dakorduara, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu thuhet në konkluzionet e Këshillit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se Këshilli është i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe se nëse dështon ulja e tensioneve, do të ketë pasoja.
Në deklaratë, Këshilli po ashtu ka dënuar sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, duke kërkuar nga Serbia që të bashkëpunojë që autorët të dalin para drejtësisë.
“Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin përpjekjet e qëndrueshme për de-eskalim, si dhe të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, sa më shpejtë të jetë e mundur, me pjesëmarrje aktive të serbëve të Kosovës. Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja” – thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Këshilli Europian ka shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së dakorduar nga të dyja palët, në rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj të zbatimit.
Në konkluzionet për dialogun, Këshilli Europian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet, pa vonesë dhe parakushte.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën drejt Evropës e të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme të përparimit” – thuhet tutje.
Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.
Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.