Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti flet rreth takimeve në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me udhëheqësit europianë në Bruksel për të diskutuar lidhur me hapat rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Pas këtij takimi, Kurti ka thënë se theksoi se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, për të rëndësia e sigurisë së Kosovës është parësore, ashtu siç është mbajtja e Serbisë përgjegjëse. 

“Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen bazike dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të 21 tetorit” – tha Kurti në rrjetin social “X”.

Kryeministri tha se pavarësisht ofertës së tij, Serbia refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. 

“Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të Marrëveshjes bazike, aneksin dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin” – tha shefi i Qeverisë.

Kurti sot është takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak. 

Ai tha se i falënderoi secilin prej tyre për përpjekjet. 

Qeveria pas takimeve të Kurtit në Bruksel: Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjet, Serbia jo