Foto: KALLXO.com

Kërkesa për lirimin e hapësirave, punëtorët e strukturave paralele serbe nuk pranojnë të përgjigjen

Punëtorët e strukturave paralele serbe të cilët janë të vendosur në njërin nga objektet e Komunës së Mitrovicës së Veriut, pak metra larg ndërtesës kryesore ku edhe qëndron kryetari Erden Atiq, po vazhdojnë të qëndrojnë brenda hapësirave.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron para ndërtesës ka parë se brenda hapësirave vazhdojnë të qëndrojnë punëtorët ndërsa të rralla janë rastet kur ata dalin jashtë derës kryesore.

Në disa raste punëtorët po hapin dritaret dhe po xhirojnë ekipet e mediave që janë duke raportuar nga Lagjja e Boshnjakëve e më pas hyjnë sërish brenda.

Ekipi i KALLXO.com tentoi që të hyjë brenda ndërtesës që të flas me ta por të njëjtit nuk pranuan të flisnin as për mediat.

Madje ata po përdorin forcën që të mbyllin derën dhe mos të ofrojnë qasje për gazetarët.

Brenda hapësirës e cila vështirë shihet për shkak të xhamave të errësuar po qëndrojnë po vazhdojnë të qëndrojnë punëtorët.

Komuna e Mitrovicës i ka dhënë ultimatum strukturave paralele serbe që të ‘largohen’ nga ndërtesa që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve nën pretendimet se nga punëtorët nuk ka marrë dokumentet në bazë të të cilave institucionet e Serbisë shfrytëzojnë këtë objekt komunal.

Pra, Inspektorati Komunal thotë se disa institucione paralele serbe po shfrytëzojnë objektet komunale e që nuk kanë të drejtë ta bëjnë atë.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhej se zyrtarët serbë kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.

Në këtë objekt është e vendosur Zyra për Fondin Pensional dhe tri institucione të tjera paralele serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

Punëtorët e strukturave paralele serbe qëndruan gjithë natën brenda objektit në Mitrovicë të Veriut