KEK-u blen telefon luksoz

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka blerë një telefon “Sasmsung S21” në vlerë 909,95 euro.

Telefoni është blerë nga “IPKO Telecomumunications” L.L.C., me të cilën është nënshkuar kontrata 8 ditë pasi është shpallur tenderi.

Në dosjen e tenderit janë përmendur të gjitha specifikat që duhet t’i ketë ky telefon.

Por në dosjen e tenderit KEK-u nuk ka treguar se për kë është blerë ky telefon. Telefoni do të jetë ngjyrë hiri, RAM memorie 8 GB, me kapacitet të ruajtjes së të dhënave (storage) 128 GB, me ekran 6.2 inch. Po ashtu telefoni duhet të ketë garancion 24 muaj dhe afat liferimi një ditë.

KALLXO.com më 26 dhjetor ka dërguar pyetje në drejtim të Zyrës për Media të KEK-ut për të marrë përgjigje se për kë është blerë telefoni dhe për çfarë nevoje, por se nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe me kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, por se ai nuk ka pranuar të flas për këtë çështje duke referuar që pyetjet të dërgohen në Zyrën për Media.

Aktiviteti i prokurimit është inicuar më 15 dhjetor ndërsa shuma e parashikuar për këtë telefon ka qenë 915 euro por telefoni është blerë për rreth 5 euro më lirë se vlera e parashikuar.

Për këtë tender u përdor procedura – vlerë minimale me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Në këtë tender janë dorëzuar dy oferta, të dyja kanë qenë të përgjegjshme por ka fituar ajo më e lira. Derisa oferta e IPKO-s, e cila është shpallur fituese mban çmimin 909,95 euro kundrejt asaj më të shtrenjtë, e cila mbante çmimin 915 euro, aq sa ishte vlera e parashikuar.