Nagip Krasniqi nën hetime intensive, Prokuroria ende nuk i ka ngritur aktakuzë

Një vit pa dy muaj nga arrestimi i ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar me 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka thënë për KALLXO.com më 26.02.2024 se janë duke u zhvilluar hetime intensive për rastin dhe se nuk mund të japin më shumë informata për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me rastin ndaj ish-kryeshefit të KEK–ut, N.K.. Andaj, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë të hetimeve nuk mund japim informata më shumë.” – tha Lutfiu për KALLXO.com.

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por që ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20.04.2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023 kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1 (iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij Ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin  SA, me çmim prej 3,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.

Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.

Më 22.02.2024, Qeveria e Kosovës ka emëruar Bekir Gërguri ushtrues detyre të kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Bekir Gërguri ka një të kaluar politike me Lëvizjes Vetëvendosje. Ai e ka konfirmuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai ishte edhe kandidat i kësaj partie për Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës dhe kishte marrë 47 vota.

Anëtari dhe ish-kandidati për asamble i LVV, emërohet U.D. kryeshef në KEK