Ilustrim

Anëtari dhe ish-kandidati për asamble i LVV, emërohet U.D. kryeshef në KEK

Bekir Gërguri nga e enjtja, 22.02.2024, ka nisur punën në pozitën e re, si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Bekir Gërguri e ka konfirmuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai ishte edhe kandidat i kësaj partie për Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Bekir Gërguri e pranon që është pjesë e partisë që udhëheq me qeverinë e Kosovës, por mohon që është favorizuar nga partia e Albin Kurtit për t’u emëruar U.D. kryeshef në KEK.

“Nuk e di çfarë pyetje kjo, çka po ju intereson? Po, (jam anëtar i LVV-së), përgjigjen e paskeni…” – ka deklaruar ai.

Tutje, Gërguri nuk ka dashur të japë informacione. “Çdo gjë që ju intereson, shkoni në institucione…”

Në listat e rezultateve për zgjedhjet lokale të vitit 2017 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bekir Gërguri figuron si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë me vetëm 47 vota të grumbulluara.

KALLXO.com ka kërkuar nga zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka konfirmimin nëse Bekir Gërguri ka pozitë udhëheqëse brenda strukturave të LVV-së në Fushë Kosovë, por ai nuk ka kthyer ende përgjigje.

Më 25.04.2023, Bordi i KEK-ut kishte suspenduar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Nagip Krasniqi pasi ai ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës më 19.04.2023 nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar në paraburgim për disa muaj, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë më 15.09.2023 e liroi atë nga paraburgimi.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi kishte kritikuar emërimin dhe zgjedhjeve e njerëzve partiak në institucione publike.

Më 16.12.2023, KALLXO.com raportoi se Dy njerëz të partisë e cila drejton Qeverinë e vendit, Lëvizjes Vetëvendosje, janë zgjedhur në dy pozita të larta udhëheqëse në ndërmarrjen publike KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Feim Fetoshi, vitin e kaluar ishte zgjedhur kryesues i bordit të ndërmarrjes nga Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti.

Në anën tjetër, në tetor të vitit 2023, bordi i ndërmarrjes kishte zgjedhur Vetim Shalën sekretar të KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Ndërsa, më 02.12.2022, KALLXO.com raportoi për zgjedhjen e Faruk Mujkës, asamblistin e LVV-së në Mitrovicë dhe ish-nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës në postin e kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”.