Banjskë, vendi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Kamionët e shkatërruar në Banjskë - PAMJE

Policia e Kosovës ka liruar për qarkullim rrugën që të dërgon brenda territorit të fshatit Banjskë, aty ku ditëve të fundi Policia ka zhvilluar aksionin e bastisjeve pas sulmit të grupit terrorist më 24 shtator nga grupi i armatosur serb.

Ekipi i KALLXO.com që po raporton nga vendi ngjarjes sjell pamje të  dy automjeteve që kanë përfunduar jashtë rrugës.

Gjatë kohës kur rruga për në fshatin Banjskë ishte e mbyllur, KALLXO.com ka parë se janë sjell pajisje për tërheqjen e këtyre automjeteve dhe largimin e pengesave të mundshme janë drejtuar dhe kanë hyrë në Banjskë.

Në fshatin Banjskë ende vazhdojnë të qëndrojnë njësitë policore e speciale për shkak të situatës që u zhvilluar ditë më parë.

Ekipet policore vazhdojnë të qëndrojnë edhe pse gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës njoftoi se ka përfunduar bastisja në këtë zonë.

KALLXO.com sjell pamje të kamionëve të demoluar:

Ekipet policore kanë nisur kontrollin në zonën e fshatit Banjskë, prej 24 shtatorit kur në orët e hershme të mëngjesit u përballen me një sulm terrorist nga një grup i armatosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.

Gjatë kontrollit, Policia ka arrestuar tetë të dyshuar, ka sekuestruar prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.

Përveç provave që u prezantuan të hënën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë në një hotel në Banjskë, gjithashtu është gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.

Sipas njoftimit, dy armë “AK 47” janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e Policisë së Kosovës që dyshohet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.