Shefqet Kabashi duke dhënë dëshminë në Gjykatën Speciale - Foto: Screenshot

Kabashi vazhdon dëshminë në Hagë, mbrojtja e Selimit vazhdon me pyetje

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshminë Shefqet Kabashi.

Kabashi është dëshmitari i 37-të i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në këtë çështje, i cili ka nisur dëshminë para DHSK-së me 14 nëntor.

Mbrojtja e Rexhep Selimit, avokati Geoffrey Roberts, po vazhdon të marrë në pyetje dëshmitarin Kabashi, i cili po dëshmon përmes video-lidhjes.

Avokati Roberts kërkoi që të kalohet në seancë të mbyllur për publikun sepse do të diskutohet për situatën e migracionit të dëshmitarit Kabashi.

Gjyqtari i çështjes, Charles Smith III e aprovoi kërkesën e avokatit Roberts dhe seanca po vazhdon e mbyllur për publikun lidhur me diskutimet e kësaj çështjeje.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.