Sulmi në Moskë, 22.03.2024. Foto: BBC

Grupi i Shtetit Islamik jep detaje të reja për sulmin vdekjeprurës në Moskë

Grupi i Shtetit Islamik ka dhënë detaje të reja rreth sulmit të mbrëmshëm (22.03.2024) në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, në të cilën u vranë së paku 133 persona, për të cilën ISI ka thënë se qëndron mbrapa saj, raporton BBC.

IS thotë se në sulmin vdekjeprurës ishin të përfshirë katër sulmues, të cilëve u ka publikuar edhe një fotografi, ku ata shihen të maskuar. Këto detaje janë publikuar nga gazeta e grupit “Amaq” në aplikacionin “Telegram”.

Për sa i përket motivit, “Amaq” thotë se “sulmi vjen në kontekstin e luftës normale të vazhdueshme midis Shtetit Islamik dhe vendeve [anti-islame]”.

Ndërkaq zëdhënësi i IS-it ka thënë se sulmi u krye nga “luftëtarë të armatosur me mitralozë, një armë, thika dhe bomba ndezëse” dhe se sulmit i parapriu një mision zbulimi “i bashkërenduar”.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe e ka shpallur 24 marsin si ditë zie kombëtare. Ky sulm është më i rëndi në Rusi në gati dy dekada.

Ai është zotuar se kryesit e sulmit do të ndëshkohen, mirëpo nuk ka komentuar ende mbi pretendimet e IS, por SHBA-ja ka thënë se është e besueshme që grupi i Shtetit Islamik mund të qëndrojë pas sulmit.

Përmes një fjalimi të incizuar paraprakisht, të lëshuar prej Kremlinit rreth 18 orë pas sulmit të 22 marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”.

“Gjëja kryesore tani është që të parandalojmë ata që janë mbrapa kësaj gjakderdhjeje nga kryerja e një krimi tjetër” – ka thënë ai.

Putin ka thënë, po ashtu, se katër të dyshuarit, që zyrtarët i kanë arrestuar më herët gjatë ditës, “kanë lëvizur drejt Ukrainës, ku… pala ukrainase u ka përgatitur një dritare që ta kalojnë kufirin”.

Presidenti rus nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.

Zyrtarët rusë kanë thënë se 11 persona janë ndaluar, përfshirë katër sulmuesit e dyshuar.

Disa janë arrestuar në rajonin perëndimor Brajansk, i cili gjendet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas e kanë mohuar çfarëdo përfshirjeje me sulmin, edhe para se zyrtarët rusë të supozonin për lidhje ukrainase.

Komiteti Hetues në Rusi ka thënë se pret që do të rritet numri i viktimave.