Sadik Halitjaha në Gjykatën Speciale - Foto: screenshot

Ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha, reagon kundër Kadri Veselit dhe avokatit të tij Ben Emmerson

Sadik Halitjaha, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka reaguar ndaj deklaratave të Kadri Veselit dhe avokatit të tij, Ben Emmerson, gjatë procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Halitjaha është dëshmitar i ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS) dhe ka shprehur mospajtime lidhur me deklaratat e Emmerson që e akuzojnë për dhënien e urdhrave për vrasje.

Halitjaha, me të filluar dëshminë e tij në Gjykatë, ka shfaqur mospajtimin e tij me deklaratat e avokatit Emmerson, i cili pretendon se Halitjaha ka dhënë urdhër për dy vrasje.

Në këtë kontekst, Halitjaha ka karakterizuar këtë deklaratë si një “thikë pas shpine” dhe ka akuzuar Kadri Veselin për ndikim në avokatin e tij për të sjellë këtë pohim.

“Do të doja ta ndajmë kohën, të më jepet mua koha e avokatit që do ta ezauronte kohën e fjalës, edhe nuk kam dëshirë që gjërat pa relevancë të përsëriten, stërhollohen. Më vjen keq për dinamizmin e gjykatës që po pengohet. Sa do le të pyet prej kur ka lindur Krishti i përgjigjem. Jam i përgatitur. Tjetra që dua të ju them ditën që më keni nxjerrë jashtë ka qenë para djeshit, z.Emmerson ka bërë digresion kundër meje si duket me ndikimin e Kadri Veselit se ashtu erdhi ajo asistentja me një letër, ka thënë se unë jam i shantazhuar. Se pasna pasë dhanë urdhër me u dhanë një burrë e dy gra me u vra, koka kanë ankuar që pse nuk kam unë avokat” – deklaroi dëshmitari.

Ai ka bërë thirrje që avokati Ben Emmerson të paraqesë prova dhe dokumente të qarta për të mbështetur deklaratat e tij, si dhe të tregojë vendin dhe kopjen e urdhrave të pretenduara.

“Kisha dashtë juve të ju drejtohem, jo avokatit se ai për mua ishte thikë pas shpine. Ai duhet ta sqarojë drejt dhe të jetë fer, jo të bëj goditje poshtë brezit. Të jetë fer le të tregojë ku është urdhri, ku e ka pa, ku e ka ni. Ku e ka atë kopje të urdhrit. Nuk duhet të thotë i shantazhuar, sepse kurrë në jetë nuk kam qenë i shantazhuar. Mund të më vrasin, por të më ligin e të më shtantazhojnë le ta harron avokati e Kadria që e porositi me thanë ashtu. Nuk kam dashur ta harxhoj buxhetin e Kosovës, sepse pare të majme po merr Emmerson. Një herë le ta sqarojmë këtë punë, e vazhdojmë pastaj betejën. Do të doja me juve gjyqtarëve, por jo prapa shpinës të flitet se unë jam i kushtëzuar, apo kam faje pse jam këtu. Për atë që jam këtu, jam i ftuar nga ju” – reagoi Halitjaha.

Pyetjet për dëshmitarin Sadik Halitjaha ka filluar që t’i parashtrojë Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.

Në seancën e së hënës, kur filloi dëshminë dëshmitari Halitjaha, Emmerson ka thënë se ky dëshmitar është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genël Metro dhe Fergal Gejnor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.