Ish-drejtori i policisë: Shqetësuese që ministri të shkojë në dhoma komanduese e nëpër zyre të policëve e hetuesve

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës ka humbur pavarësinë e saj në raport me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Qalaj i cili tani është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë këto deklarata i bëri në komisionin ku është thirrur për të raportuar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Ish-drejtori i policisë Qalaj, ka kërkuar nga kryesindikalisti Zeqiri përgjigje në lidhje me punën e policisë dhe pavarësinë e saj në raport me MPB-në.

“Pastaj ministri shkon në zyre të hetuesve nëpër dhoma komanduese që nuk ka qenë asnjëherë praktikë, asnjë qeveri, kurrë hiq, është duke më brengos, ndoshta vjen ndonjë ministër hala ma i keq të ardhmen nëse ndryshohet pushteti por policia duhet me qenë e pavarur por tash po e shoh që është kulmi që një ministër e ki në të gjitha zyrat e policisë”, tha Qalaj në komision.

“Edhe në zyre të hetuesisë”, dëgjohet duke komentuar kryetari i komisionit Bekë Berisha.

Sipas Qalajt, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë përparësinë për organizimin e të gjitha aktiviteteve dhe manifestimeve që bien nën përgjegjësinë e policisë .

“Ju qysh po e shihni sot si sindikatë, humbjen e pavarësisë së policisë në raport me ministrinë, kur e dini që policia pak pyetet për aktivitete, edhe për manifestime i bën ministria, i thirr mysafirët ministria, e bën rendin kush me fol ministria, këshilltarët e ministrit”, thotë tutje Qalaj.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se nuk ka njohuri për këtë çështje.

“Unë personalisht jam i angazhuar me gjëra të tjera, prej juve e mora këtë informacion. Unë nuk kam pasur rast të shoh që ka hyrë nëpër zyre të hetuesisë apo është edhe zyrtarisht nuk jam taku me të, po them si informacion e mora nga ju unë nuk e kam parë. Realisht nëse policia humb atë pavarësinë e saj dhe bie në ndikim të politikës pavarësisht kush është në pushtet kjo është një dukuri e keqe”, përgjigjet Zeqiri.

Për çështjen e ngritur nga Qalaj replikoi edhe zëvendëskryetari i parë i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli.

“Je kryesindikalist dhe raportet e bashkëpunimit ministri-polici nuk ish dashtë me qenë temë diskutimi për shkak se sa herë shkon ministri te policia dhe drejtori në ministri janë raporte pune raporte komunikimi dhe lutem të ketë sa ma shumë komunikim aq ma mirë do t’i kemi punët”, tha Dugolli.

Ai shtoi se policia nuk humb pavarësinë në rast se bashkëpunon me ministrinë.

“Për shkak që i kanë punët e ndara dhe ligji e cakton deri ku në punët operative mund të shkoj ministri apo drejtori apo ndonjë zyrtar tjetër. Ky shqetësim është politik e kuptoj se Rashiti e nxjerri një konstatim politik po besoj që nuk ju hyn në punë as ne as juve”, tha Dugolli.

Ministria e Punëve të Brendshme aktualisht udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla ndërsa Drejtor në Policinë e Kosovës është Samedin Mehmeti.