Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

I nominuari për ambasador të SHBA-ve, zotohet se do ta ndihmoj FSK-në, përmend suksesin e ‘Defender 21’

I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në misionin e tij do të ndihmoj tranzcionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Unë do të mbështes zhvillimin e vazhdueshëm gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë multietnike, ndërvepruese me NATO-n dhe mbrojtëse të territorit”, ka thënë ai në deklaratën dërguar Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit.

Hovenier si sukses të FSK-së, ka përmendur ushtrimin ushtarak ‘Defender 21’, i cili në Kosovë është mbajtur nga data 17 maj deri më 29 maj.

“Duke u bazuar në dislokimin e parë ndërkombëtar të Kosovës së bashku me forcat amerikane dhe organizimin e ‘Defender Europe 21’, ne mund të ndihmojmë kalimin e Kosovës nga konsumator në ofruesin e sigurisë”, ka shkruar ai.

Hovenier pritet që të zëvndësoj, Philip Kosnett i cili para pak ditësh ka përfunduar mandatin e tij në Kosovë si ambasador.

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë ka qenë pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë janë zhvilluar nga data 17 maj deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve ka qenë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.

(VIDEO + FOTO) të papara, FSK gjatë stërvitjes ‘Defender Europe 2021’