I akuzuari për sulmin terrorsit në Banjskë: 'Unë jam fajtor se kam qenë atë ditë në Banjskë dhe ky është gabimi më i madh në jetë'
Gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, po prek fundin. Në këtë rast të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq dhe Vladimir Toliq që gjenden në masën e paraburgimit.
Gjykimi për këtë rast, është duke u përmbyllur me fjalët përfundimtare të dhëna nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit. Më 15.04.2026 Prokuroria Speciale dhe avokatë te të dëmtuarve kishin paraqitur fjalët përfundimtare ku kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.
I akuzuari Bllagoje Spasojeviq në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk mund ta quajë vetën terrorist për arsye se nuk e ka vrarë askënd.
“Unë për vete nuk mund të them se jam terrorist, për arsye se unë nuk e kam vrarë askënd dhe nuk e kam lënduar, asnjë plumb të vetëm nuk e kam shkrepur ndaj pjesëtarëve të Policisë dhe askujt tjetër.”- deklaroi i akuzuari Spasojeviq.
Spasojeviq tha se ai është fajtor vetëm për pjesën se në ditën kritike ka qenë në Banjskë.
“Unë jam fajtor se kam qenë atë ditë në Banjskë dhe ky është gabimi më i madh në jetë.”- tha i akuzuari Spasojeviq.
Tutje, Spasojeviq shprehu keqardhje për humbjen e jetës së rreshterit Afrim Bunjaku dhe për të dëmtuarit e tjerë.
“Më vjen keq për vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe të dëmtuarve tjerë, më vjen keq që kam marrë pjesë në atë ngjarje.”- tha i akuzuari Bllagoje Spasojeviq.
Më tej i akuzuari tha se asnjëherë në jetën e tij nuk është marrë me veprime të kundërligjshme, dhe lidhur më të akuzuarin e Dushan Maksimoviq, i akuzuari Spasojeviq tha se nuk ka lidhje me asgjë çka ka ndodhur në Banjskë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq tha se klienti i tij ka qenë i gatshëm që në seancën e parë të këtij shqyrtimi gjyqësor të pranojë fajësinë.
Avokati Pantoviq tha se pas diskutimit në detaje me të mbrojturin e tij kanë zgjedhur që Spasojeviq të mos deklarohet për fajësinë.
Pantoviq tutje tha se po të mos ishte shtuar pjesa në aktakuzë që ka të bëjë me shkëputje të territorit, i mbrojturi i tij do ta kishte pranuar fajësinë.
“Po të kishte mbetur kjo aktakuzë vetëm me një pikë dhe të mos ishte ishte shtuar për shkëputje të territorit apo bashkëngjitje të territorit ai do të kishte pranuar fajësinë dhe ne do të kishim përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor para një viti, por PSRK ka përsërit pa asnjë bazë e ka shtuar në aktakuzë edhe pikën e dytë, dhe i mbrojturi im nuk ka mundur një gjë të tillë të pranojë, sepse një tentim i tillë nuk ka mundur të jetë. Për këtë arsye kemi marrë vendim të mos deklarohet për fajësinë.”- tha avokati.
Avokati Lubomir Pantoviq tutje deklaroi se në këtë rast bëhet fjalë për kryengritje të armatosur.
Pantoviq i tha trupit gjykues që i mbrojturi i tij Bllagoje Spasojeviq mos të paguajë çmimin për të gjithë të pandehurit që gjenden në liri. “Mos ta dënojmë gjithë grupin në shpinën e tij.”- tha avokati.
“Këta tre janë kapur dhe ata do ta paguajnë për gjithë të tjerët, një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me ligjin, kjo do të ishte hakmarrje. Hakmarrja nuk është qëllimi i ligjit.”- tha më tej avokati.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk ka pasur asnjë tentativë për shkëputje të territorit.
Sipas avokatit Pantoviq nuk është e drejtë të pretendohet nga ana e Prokurorisë Speciale një gjë e tillë.
Pantoviq tha se në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për këtë rast ekzistojnë gabime serioze, mangësi si dhe parregullsi.
Sipas avokatit, aktakuzës së Prokurorisë nuk i ka paraprirë një hetim i mirë policor.
Avokati Lubomir Pantoviq tha se në aktakuzën e PSRK-së nuk ka përshkrim konkret të veprimeve të asnjërit nga të pandehurit.
Sipas avokatit nga përshkrimi aktakuzës nuk është fare e mundur të dihet se çfarë ka bërë i akuzuari Bllagoje Spasojeviq në ditën kritike me 24 shtator 2023 në Banjskë.
Tutje, Pantoviq tha se në të dyja pikat e aktakuzës, Prokuroria Speciale ka qenë e detyruar të përcaktojë saktë dhe në mënyrë konkrete se cilat kanë qenë veprimet konkrete të të mbrojturit të tij.
“Cili ka qenë roli i të mbrojturit tim, cili ka qenë roli i tij, ju keni qenë te detyruar ta shkruani këtë meqë pretendoni se kanë pasur role të ndryshme, kjo nuk është e thënë në aktakuzë, nuk thuhet as në fjalën përfundimtare se çfarë ka bërë i mbrojturi im.”- tha avokati Lubomir Pantoviq.
Më tej avokati tha se aktakuza është në kundërshtim me dispozita ligjore.
“Për shkak të përshkrimit faktik, aktakuza është në kundërshtim me nenin 6 paragrafi 1 dhe Konventën për të drejtat e njeriut, si dhe me nenin 10 paragrafi 1 të KPRK-së.”- tha avokati i të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq.
Sipas avokatit Pantoviq në aktakuzën e PSRK-së nuk ekziston asnjë detaj që lidhë të mbojturin e tij më këtë aktakuzë.
Tutje, avokati tha se nuk e konteston faktin se tek i mbrojturi i tij janë gjetur grimcat e barutit, mirëpo sipas avokatit është dashur që gjatë hetimit të kryhet ekspertiza e armë së tij, ashtu që të ekzaminohet arma e tij dhe nga kjo do të ishte vërtetuar se sa plumba ka gjuajtur i mbrojturi i tij.
Tutje, lidhur me propozimet për shqiptimin e burgimit të përjetshëm ndaj të akuzuarve, avokati tha se janë propozime të përgjithshme dhe arbitrare të dhëna kryesisht për opinionin publik dhe për media.
Sipas avokatit këto propozime janë jashtë dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më tej, avokati tha se duhet të merren parasysh edhe rrethanat lehtësuese për shqiptimin e dënimit.
Si rrethana lehtësuese, avokati përmendi se i mbrojturi i tij nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale, nuk është provuar ndonjë kontribut i madh apo i rëndësishëm, nuk ka qenë komandant, udhëheqës apo organizator si dhe duke shtuar faktin se i mbrojturi i tij ka shprehur gatishmëri për kompensimin e dëmit të dëmtuarve.
Dy nga tre të akuzuarit në këtë rast, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq kishin shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për të u mbrojtur në heshtje. Ndryshe nga dy të bashkëakuzuarit e tij, i akuzuari i tretë në këtë rast, Dushan Maksimoviq kishte zgjedhur të deklarohej për veprat të cilat po i akuzon Prokuroria Speciale. Maksimoviq para Gjykatës i kishte mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se në ditën kritike nuk kishte qenë në Banjskë.
Sipas PSRK-së, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 gjykimi për rastin “Banjska” ka filluar rishtazi gjykimi. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Arben Hoti, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lëndën për gjykim e ka marrë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili së fundi është bërë edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Ngadhnjim Arrni (kryetar) Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtim kryesor më 17.04.2025 nuk kanë pranuar fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska”?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar. Millan Radoiçiq, Vladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Milosavleviq, Lazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Millan Nedelkoviq, Nikolla Iliq, Vlladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Lidhur me rastin, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023.
Çka ndodhi në Banjskë?
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejt brendisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiqit, të cilën e kishte lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq. Në të njëjtën letër Radoiçiq kishte njoftuar se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.