"Banjska" - Gjykata refuzoi gjykimin në mungesë për 42 të akuzuarit, ngarkohen për vepra për të cilat nuk parashihet gjykimi në mungesë
42 të dyshuarit, e më pas të akuzuarit, nga Prokuroria Speciale (PSRK) lidhur me sulmin terrorist më 24.09.2023 në “Banjskë”, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku nuk do gjykohen në mungesë.
Kjo pasi Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka marrë Vendim duke ia refuzuar PSRK-së Kërkesën për gjykim në mungesë për pjesën tjetër të të akuzuarve.
Në rastin e njohur si “Banjska” sipas Gjykatës nuk mund të aplikohet gjykimi në mungesë ndaj 43 të pandehurve, pasi të akuzuarit ngarkohen për vepra për të cilat Kodi i Procedurës Penale nuk e parasheh mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Sipas Vendimit të Gjykatës, gjykimi në mungesë mund të mbahet vetëm në rastet kur kemi të bëjnë me vepra penale që kanë të bëjnë me gjenocidin dhe veprave penale të krimeve të luftës; veprat penale kundër njerëzimit, ose vepra të tjera penale të cilat sipas së drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen dhe veprës penale të vrasjes së rëndë.
“Gjykata nuk mund të bëjë ndonjë interpretim më të zgjeruar, përveç interpretimit strikt gjuhësor të Dispozitës së Nenit 104 të KPRK-së, ngase kjo Dispozitë është taksative, pra përmban rregulla të detyrueshme dhe kjo detyrueshmëri është absolute, pasi që formulimi është i qartë dhe gjykimi në mungesë sipas të njëjtit mund të mbahet vetëm në dy situata – pa u plotësuar kushtet e tjera të përcaktuara në Nenin 303 të KPPRK-së dhe ato janë: veprat penale të gjenocidit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, ose vepra të tjera penale, të cilat sipas së drejtës ndërkombëtare nuk parashkruhen dhe vepra penale e vrasjes së rëndë, e cila sipas këtij Neni nuk parashkruhet. Pra, në Dispozitën e Nenin 104 të KPRK-së janë përdorur emërtimet ligjore të veprave penale, të cilat janë përshkrim zyrtar i një vepre të ndaluar nga Ligji Penal, e i cili emërtim përdoret në procedurat gjyqësore për të kualifikuar veprën penale e cila i vihet në barrë një të akuzuari.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës.
Neni 104 i Kodit Penal të Kosovës parasheh se për cilat vepra penale nuk aplikohet vjetërsimi i veprës penale. Ky Nen thotë se vjetërsia e veprës penale nuk ndodh te rastet e vrasjes së rëndë dhe veprat penale kundër së drejtës ndërkombëtare. Në këto vepra hyjnë: gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, ose vepra të tjera penale sipas së drejtës ndërkombëtare. Kurse, te gjykimi në mungesë i këtij rasti, ku të akuzuar janë 43 persona për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, sipas Gjykatës nuk plotësohen kriteret e Nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale, që parasheh gjykimin në mungesë dhe nuk plotëson kushtin tjetër që të jetë vepër penale kundër së drejtës ndërkombëtare – ashtu siç njihen krimet e luftës.
Vrasja (në këtë rast e policit Afrim Bunjaku) është element i inkorporuar në veprën penale të terrorizimit, element kualifikues i veprës penale; vepra të ngjashme për të cilat akuzohen grupi i cili kishte marrë pjesë sipas Prokurorisë në “Banjskë”. Pra, vrasja e Bunjakut nga Prokuroria nuk është e cilësuar si vepër penale e titulluar në Kodin Penal si “vrasja e rëndë”, por është e inkuadruar në veprat penale me karakter terrorist, që si pasojë një person ka mbetur i vrarë.
“Gjykata e Shkallës së Parë pasi ka arritur deri te përfundimi se vetëm në dy situata mund të aplikohet gjykimi në mungesë, ndërsa në rastin konkret të akuzuarit akuzohen për vepra penale për të cilat nuk është i mundur gjykimi në mungesë – pa i plotësuar kushtet nga Neni 303 i KPPRK-së – ngase nga analizimi i përshkrimit faktik dhe cilësimi juridik rezulton se vrasja në rastin konkret është element kualifikues i veprës penale ‘kryerja e veprës penale terroriste’ nga Neni 129 Par 3, lidhur me Par. 1, lidhur me Nenin 128 Par. 1, Pika 1.1, 1.3, 1.7 dhe 1.10 të KPRK-së, po ashtu nuk plotësohet as edhe kriteri tjetër që janë vepra penale të së drejtës ndërkombëtare, apo siç njihen krimet e luftës”.
Pra, sipas Vendimit të Gjykatës nuk janë plotësuar kriteret strikte që i parasheh Neni 303 (gjykimi në mungesë) për të akuzuarit.
“Refuzohet propozimi i Prokurorit të Shtetit për procedimin e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurve: Milan Radoiçiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jaredic, Millorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Millosavlijeviq, Lazar Smigic si e pabazuar.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Këtë Vendim e ka marrë gjyqtari Arben Hoti i cili është gjyqtar duke e gjykuar procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve të cilët janë në paraburgim, që nga shtatori i vitit 2023, kur edhe ishin kapur nga autoritetet kosovare: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Procesi ndaj tre të akuzuarve gjendet në fazën e shqyrtimit kryesor, ku janë dhënë fjalët hyrëse nga palët në procedurë.
Lidhur me 41 të akuzuarit fizik, Gjykata ka lëshuar letër-rreshtime ndërkombëtare, ndërsa në këtë rast personi i 42-të është person juridik – gjë e cila pamundëson lëshimin e Fletërreshtimit ndërkombëtar për të.
Sipas Vendimit të Gjykatës, me të cilin e ka refuzuar Kërkesën që të mbahet gjykimi në mungesë, ka thënë se me Kodin e Procedurës Penale lejohet mbajtja e gjykimit në mungesë kur të plotësohen një mori kushtesh. Sipas Vendimit gjykimi në mungesë mund të mbahet edhe pa u plotësuar prania e të pandehurit në procedurë penale, pasi Gjykata të bindet se janë bërë përpjekje të arsyeshme për të njoftuar të akuzuarin për shqyrtim. Lidhur me këtë rast, ku të akuzuar janë 43 persona, Gjykata në Vendimin e saj ka thënë se edhe PSRK, edhe Gjykata e Prishtinës kanë bërë të gjitha përpjekjet për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, por pa sukses, kurse ndaj tyre kanë lëshuar edhe letër-rreshtim ndërkombëtar.
Lidhur me këtë Vendim të Gjykatës Themelore, PSRK ka shfrytëzuar të drejtën e Ankesës në Gjykatën e Apelit.
Përndryshe para se të vendoste lidhur me këtë Vendim, gjyqtari Hoti i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për një mendim juridik, se a mund të procedoj me gjykim në mungesë, apo jo, lidhur me këtë rast, por që Supremja ia kishte lënë në diskrecion vetë gjyqtarit.
Çka thotë Aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit – duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë Dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Millan Radoiçiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për “terrorizëm” janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Shënim: Artikulli është edituar më 29.04.2025 në ora 16:46.