Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti - Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti: Takimi në Uashington do të mbahet së shpejti

Pasi u kthye nga Brukseli, Kryeminsitri Avdullah Hoti ka njoftuar se takimi i anuluar në Uashington pritet të mbahet shumë shpejtë.

Ndonëse nuk dha asnjë datë, kryeministri Hoti deklaroi se takimi i anuluar, që do duhej të mbahej sot, do të mbahet shumë shpejtë. Kujtojmë se takimi në Uashington u anulua pas njoftimit nga Prokuroria në Hagë se ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Për shkak të zhvillimeve të fundit, ne kemi shtyrë vizitën në Uashington. Unë kam pasur komunikim intensiv me të deleguarin e presidentit Trump, ambasadorin Grenell. Ne jemi dakorduar që ta shtyjmë takimin për një datë së shpejti. Agjenda mbetet e njëjtë”, u shprehë Kryeministri Hoti në konferencë për media.

Hoti tha se nuk e di nëse presidenti Thaci do të marrë pjesë në takimin që pritet të mbahet  në Uashington.

“Kush merr pjesë në atë takim, i takon nikoqirit, por deri tash nuk ka pasur dyshime se kush e udhëheq dialogun”, tha tutje Hoti.

I pyetur nëse i deleguari i presidentit Donald Trump, Ambasadori Richard Grenell do ta vizitojë Prishtinën ditëve në vazhdim, Hoti tha se nuk ka informacion në lidhje me këtë, derisa shtoi përsëri se ai do të jetë udhëheqës i dialogut.

Hoti foli edhe për samitin e Parisit, duke thënë se janë duke u bërë përgatitjet për këtë takim.

“Tani janë duke u bërë aranzhimet finale për samitin e Parisit. Ne kemi dhënë dakordimin tonë se si qeveri jemi të gatshëm të marrim pjesë në këtë samit. Jemi te nderuar që kemi një interes kaq të madh nga presidenti francez dhe kancelares gjermane”, tha Hoti.

Sipas tij, ndonëse mund të duken si dy procese të ndara, takimi në Uashington dhe Samiti i Parisit janë në një vijë.

Konferenca e kryeministrit Hoti u mbajt sot pas kthimit nga Brukseli ku ka pasur vizita të ndryshme me përfaqësues të Bashkimit Evropian.