Avdullah Hoti: Ka humbur momentumi për marrëveshje Kosovë-Serbi

Ish-kryeministri i Kosovës i tha BIRN-it se keqmenaxhimi i dialogut me Beogradin nga pasardhësi i tij e ka sjellë vendin në një bllokim – dhe ka çuar në izolim dhe rënie ekonomike.

Gati tri vjet që kur dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti e gjen veten në një zyrë me pamje nga ndërtesa madhështore e stilit socialist të cilën dikur e kishte në zotërim, tani të dorëzuar tek Kurti.

Aktualisht, duke shërbyer si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Hoti ka një pikëpamje pesimiste për perspektivat e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai shpreh dyshime, veçanërisht duke pasur parasysh kohën, pasi aleatët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Kosovës, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, janë para zgjedhjeve elektorale këtë vit.

“Fatkeqësisht mendoj që kemi humbur momentumin për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke e cila do të na hapte rrugën qartësisht për integrime euro-atlantike. Kjo mundësi për arritjen e kësaj marrëveshjeje, e them me bindje të plotë, është humbur për shkak të qasjes që ka pasur qeveria jonë në fillim të mandatit të saj kur e ndryshoi qasjen sa i përket procesit të dialogut” tha Hoti për Rrjetin për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Kur partia Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual Albin Kurtit fitoi me një rezultat të ngushtë zgjedhjet në vitin 2019 dhe zgjodhi kryeministër Kurtin në shkurt të vitit 2020, Hoti ishte zgjedhja e LDK-së për postin e zëvendëskryeministrit.

Megjithatë, ky koalicion qeverisës zgjati jo më shumë se 50 ditë si rezultat i mocionit të mosbesimit të paraqitur nga vetë LDK-ja.

Në qershor të vitit 2020, Hoti u votua për kryeministër, duke e udhëhequr një koalicion me partitë e vogla – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Nisma dhe Listën Serbe – duke i lënë emrat “e mëdhenj” të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së, në opozitë.

Mirëpo, mandati i Hotit zgjati mezi gjashtë muaj përpara se Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendoste në dhjetor të vitit 2020 se qeveria e tij ishte jolegjitime, pasi ishte votuar nga një parlament që përfshinte një deputet i cili më parë ishte dënuar për korrupsion.

Zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 u karakterizuan me një fitore dërrmuese për Kurtin, i cili e pati të lehtë ta formonte një qeveri pa pasur nevojë për koalicione.

I konsideruar si bashkëpunëtor më i afërt i ish-liderit të LDK-së, Isa Mustafa, Hoti shërbeu si ministër i Financave nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ai ishte nënkryetar i Prishtinës nga viti 2010 deri në vitin 2013.

Ndërkohë, Hoti thotë se dialogu është përdorur për qëllime politike nga të dy liderët kryesorë të përfshirë – Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Fatkeqësisht dy qeveritë, dy shtetet, dhe neve na intereson rasti i Kosovës, dialogu është duke u përdorur për qëllime të brendshme elektorale. Merreni historikun me zhvillimet për tabelat e veturave ose tash rregulloren e BQK-së sa i përket përdorimit të valutave të huaja në vend”- tha Hoti.

Kosova u vu nën sanksionet e Bashkimit Europian në qershor të vitit të kaluar pasi autoritetet kosovare vendosën kryetarë komunash me etni shqiptare në katër komuna me shumicë serbe në veri, gjë që shkaktoi një reagim të dhunshëm nga serbët vendas, në të cilin u plagosën dhjetëra paqeruajtës të forcave të NATO.

BE-ja kërkoi që Kosova t’i pezullojë operacionet policore pranë ndërtesave komunale në komunat veriore duke shtuar se kryetarët e rinj – të zgjedhur nga një grusht votuesish pasi serbët vendas paraprakisht i bojkotuan zgjedhjet – t’i kryejnë detyrat e tyre si kryetarë komunash diku tjetër dhe bëri thirrje që zgjedhjet e reja lokale të mbahen me pjesëmarrjen e plotë të serbëve vendas.

Kosova së fundmi e ka acaruar sërish komunitetin ndërkombëtar pasi Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përdorimin e mëtejshëm të transaksioneve me para të gatshme në monedhën serbe, dinarin.

Hoti i konsideron këto vendime legjitime, por thotë se nuk kanë qenë të koordinuara siç duhet.

“Ato janë vendime kushtetuese, janë e drejtë e Kosovës por që gjithmonë, ka disa cështje që janë ligjore e kushtetuese por që janë të ndjeshme në aspektin politik, ne i kemi bërë gjithmonë në koordinim me aleatët tanë në mënyrë që të kemi sukses dhe të mos e sjellim situatën e Kosovës në një situatë ku ne shihemi si pala problematike”- theksoi ai.

Lëvizjet si kjo vijnë me një kosto, shton ai, duke paraqitur më shumë pengesa në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Praktikisht nuk ka më dialog”

Sipas një marrëveshjeje prej 11 pikash të arritur në shkurt të vitit 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia u zotuan të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë të bazuar në të drejta të barabarta – një gjendje që do ta përfaqësonte një përmirësim të madh në marrëdhëniet e tyre aktuale.

Në muajin mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Kosova u dakorduan për një aneks zbatimi, duke i përcaktuar shtatë hapa drejt arritjes së qëllimit të marrëveshjes së shkurtit.

Mirëpo, përtej miratimit të një deklarate për personat e zhdukur dhe themelimit të një komiteti të përbashkët për ta monitoruar zbatimin e marrëveshjes, shumë pak është bërë, duke ngritur pyetje të reja rreth efektivitetit të ndërmjetësimit të BE-së midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë nuk pres që të ketë një fokus më të madh në dialog. Bile tash krejt fokusi është në menaxhimin e situatave të krizave. Praktikisht sot nuk ka dialog sepse dialogu është mbyllur me marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe tani fokusi është te zbatimi i saj dhe evitimi i situatave të krizave”- thotë Hoti.

“Tani fokusi është në zbatimin e marrëveshjes dhe shmangien e krizave,” shton ai, duke pyetur nëse zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian në qershor dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të këtij viti do t’i shtyjnë të dyja palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Hoti përfaqësonte Kosovën ulur në tavolinën e Shtëpisë së Bardhë në shtator të vitit 2020, kur ai dhe Vuçiq nënshkruan dokumente të veçanta, që kishin të bëjnë kryesisht me bashkëpunimin ekonomik, hekurudhat dhe lidhjet tranzitore, nën presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

Pikat e marrëveshjes përfshinin linjën e parë të fluturimit midis Prishtinës dhe Beogradit që nga lufta e Kosovës 1998-99, njohja reciproke e diplomave të arsimit, një zotim për një zonë të planifikuar ballkanike pa pasaporta “mini-Shengen”, një moratorium një vjeçar të lobimit nga ana e Serbisë që shtetet e ndryshme ta tërheqin njohjen e Kosovës dhe pezullimin e përpjekjeve të Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare.

Por, nga të gjitha pikat e arritura në marrëveshje, përfitimi i vetëm që Kosova e ka arritur deri më tani është njohja nga Izraeli, e fituar me çmimin e hapjes së ambasadës së saj në Jerusalem.

“Të tjerat kanë ngecur plotësisht sepse kjo qeveri ka hequr dorë prej tyre”- thotë Hoti.

“Kur administrata e re [Biden] mori qeverisjen e SHBA-ve në fillim të vitit 2021, ata [qeveria] e informuan Kongresin se e respektojnë plotësisht marrëveshjen … dhe se kjo marrëveshje është në dobi të të dyja palëve. Mirëpo, qeveria jonë nuk e ka shtyrë përpara këtë marrëveshje dhe e ka hequr nga rendi i ditës një projekt gazi me vlerë 200 milionë dollarë amerikanë… Edhe projekte të tjera infrastrukturore kanë ngecur”, shton ai.

Projektet e tjera që parashiheshin sipas marrëveshjes së lartcekur ishin “Autostrada e Paqes” si dhe linja hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë.

“Jam i bindur që sot, sikur ne të ishim në qeveri, ose sikur kjo qeveri të vazhdonte me zbatimin e marrëveshjes, do të kryheshin një pjesë e madhe e këtyre projekteve, sot do ta kishim Prishtinën një nyje infrastrukturore për tërë rajonin.

Nuk do shumë mend për të konstatuar që raportet [Kosovë- SHBA] janë të acaruara”- shton tutje Hoti, duke folur për lidhjet aktuale SHBA-Kosovë. Vizitat zyrtare mes qeverive janë bërë të rralla.

Rezultatet e Qeverisë Kurti janë ‘katastrofike’

Ndërkohë që Kurti po hyn në vitin e fundit të mandatit të tij si kryeministër, shumë në Kosovë presin zgjedhje të reja më shpejt se sa parashikon kalendari zgjedhor. Hoti është njëri prej tyre. “Besoj, po”, thotë Hoti, për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit.

“Sepse nuk e shoh si mund të vazhdojë kjo qeveri deri në shkurt 2025. Rezultatet në qeverisje janë katastrofale, ka pasur regres në shumicën e fushave. Nuk janë as afër, as që kanë filluar t’i realizojnë premtimet që i kanë dhënë”, shton ai.

Hoti thotë se rezultatet ekonomike të qeverisë janë “të padukshme”.

“Në ekonomi, rezultatet janë të padukshme. Nuk ka asnjë projekt publik që mund ta drejtosh gishtin dhe të thuash ky është realizuar,” thotë ai.

“Sot ekonomisë së Kosovës i mungojnë 800 milionë deri në 1 miliard euro investime se sa që do të ishte dashtë të realizohen sikur të ndiqej trendi i viteve të mëparshme.”

“Investime të jashtme nuk ka, struktura e buxhetit është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë, mbi 1 miliard euro shkojnë për subvencione të ndryshme, varfëria është thelluar sepse kishim krizën energjetike dhe krizën e inflacionit të cilat nuk u adresuan si duhet, dy herë u rrit çmimi i energjisë”- thotë ai.

“Marrëdhëniet e Kosovës me vendet në rajon janë përkeqësuar, përfshirë edhe me Shqipërinë e tani edhe me Maqedoninë e Veriut për shkak të ndërhyrjeve absurde të kryeministrit në procesin zgjedhor”, shton Hoti, duke iu referuar përfshirjes së Vetëvendosjes përmes kandidatëve të mbështetur në zgjedhjet në Shqipëri dy vjet më parë dhe tani në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.

I pyetur nëse përçarja e fundit mes PDK-së opozitare dhe LDK-së, të cilat bashkëqeverisje në pushtetin lokal të Prishtinës, mund të ndikojë në bashkëpunimin e tyre të ardhshëm në nivel qendror, Hoti tingëllon i kujdesshëm.

“I kisha parë ato çështje në kontekst lokal të qeverisjes së një komune. Sigurisht nuk mund t’i komentoj sepse nuk i di informatat si janë zhvilluar ngjarjet. Sigurisht kryetari i komunës i ka arsyet e veta dhe besoj që do t’i ofrojë opinionit sqarimet e nevojshme”, thotë ai.

“Bashkëpunimin me partitë e opozitës e kemi pasë në Kuvend. Ka pasur plot nisma për amendamente ligjore ose seanca të jashtëzakonshme, debate të ndryshme, interpelanca, rezoluta të dakorduara me partitë e opozitës”- thotë Hoti.

“Por ne jemi LDK, e kemi logon tonë dhe ne shkojmë në zgjedhje si parti e vetme për të kërkuar besimin e qytetarëve si Lidhje Demokratike”0 përfundon ai.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Balkan Insight