Hoti propozon amandament për rritjen e buxhetit të RTK-së, LVV voton kundër

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti gjatë shqyrtimit të projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2024 ka propozuar një amandamet për të rritur buxhetin për Radio Televizionin e Kosovës.

Përmes këtij amandamenti, Hoti ka kërkuar rritje të buxhetit të RTK-së nga 8 milionë në 12 milionë euro.

Ai tha se RTK për shkak të mungesës së financave e ka varfëru skemën programore.

“Amandamenti im është për rritje të buxhetit të RTK-së në 12 milionë, nga 8 në 12 milionë. Unë jam anëtar i Komisionit për Buxhet, ata njerëz ankohen, bordi ankohet që e kanë varfëru skemën programore për shkak të mungesës së financave për aktivitete sportive, kulturore e të tjera. Që tri vjet nuk ka as nismë që të pavarësohet financimi i RTK-së dhe të gjenden financime tjera. Nga vlerësimet në tregun medial RTK është në fund të pusit”- ka thënë ai.

Ky amandament i deputetit të LDK-së, nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t`u miratuar,

Kundër tij kanë votuar deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Amandamentin e mbështetën 24 deputetët, kundër ishin 57 deputetë, abstenuan 2. Nuk kalon”- konstatoi kryeparlamentari Galuk Konjufca.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës vitin e kaluar e ka konsideruartë pamjaftueshëm buxhetin prej 8.96 milionë euro të ndarë për vitin 2023 nga Kuvend i Kosovës. Ata kanë thënë se është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit dhe se ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në lexim të dytë, Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Sipas njoftimit, kjo është e vetmja pikë e rendit të ditës për seancën e sotme.

Më 16 nëntor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.