Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti e akuzon Kurtin për shtrembërim të të dhënave për importet dhe eksportet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për shtrembërim të të dhënave për importet dhe eksportet në Kosovë.

Sipas Hotit, importi gjatë qeverisjes së Kurtit ka shënuar rritje rapide.

“Pse Kurti shtrembëron të dhënat për importet dhe eksportet e Kosovës?! Importi gjatë qeverisjes së tij ka rritje rapide. Më 2023 ka arritur në 5.9 miliardë euro. Shihni figurën nga të dhënat zyrtare të ASK-së. Deficiti tregtar është thelluar nga 3.1 miliardë euro në vitin 2019 (vit para pandemisë), në 5.1 miliardë euro në vitin 2023. Mbulimi i importeve me eksporte gjatë 10 viteve të fundit është pothuajse i njëjtë, nga 12%-16%, përjashto kohën e pandemisë”- ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërsa ka thënë se “Ai që krenohet me këto të dhëna, ose nuk i kupton, ose mashtron opinionin”.

Më 22.03.2024, për të shënuar trevjetorin e ardhjes në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka përmendur rezultatet e Qeverisë për të cilat tha se janë krenar e ballëhapur.

Ndërsa në një postim në Facebook, sipas Kurtit, gjatë këtyre tri viteve pati dyfishim të eksporteve dhe përmirësim të raportit eksport – import 1:9 dhe 1:6.