Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Qeveria i dha të mbrapshtën vendit, në vend se të diskutohej me aleatë në Prishtinë, dialogojnë me Serbinë në Bruksel

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për faktin se temën e e dinarit po e diskutojnë në Bruksel, përkundër se kishin deklaruar se nuk do të bënin diçka të tillë.

“Në vend që vendimet të merren në Prishtinë në bashkëpunim dhe sipas këshillave të miqve tanë, këta shkojnë të dialogojnë me Serbinë në Bruksel. Para një jave thonin se nuk diskutojnë në Bruksel për çështjen e dinarit. Tani detyrohen të ulen në tavolinë”- ka shkruar Hoti në Facebook më 16.03.2024.

Hoti ka renditur dis nga veprimet e Qeverisë Kurti që sipas tij e kanë çuar mbrapa Kosovën

“Në vend se të dëgjoheshin këshillat e miqve e të vazhdohej dialogu i nisur për marrëveshje finale për njohje reciproke, mbrapshtitë e qeveritarëve në shkuarje na acaruan raportet me gjithë botën demokratike, na dhanë të mbrapshtën, na krijuan status quo të re, na bllokuan procesin eurointegrues, na sollën sanksione, na cënuan raportet shtetërore me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, i bënë pikë e pesë shqiptarët në Luginë e në Maqedoni të Veriut”- shtoi më tej Hoti.

Nga 01.02.2024 ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë. Kjo nxiti reagim tek serbët në Kosovë si dhe ndërkombëtarët, të cilët kërkuan shtyrje të ekzekutimit të rregullores pasi “Qeveria nuk kishte bërë asnjë fushatë paraprake dhe me këtë vendim preken direkt qytetarë në Kosovë”.

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores.

Neni 11 i Kushtetutës së Kosovës parasheh vetëm një monedhë për pagesa të gatshme në Kosovë, por krahas euros, në komunat me shumicë serbe ka vazhduar të përdoret edhe dinari.

Qeveria e Kosovës ka siguruar se do të kujdeset për një “tranzicion të lehtësuar” nga dinari në euro, duke bërë që qytetarët “të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 19.03.2024, do të zhvillohet një takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, në të cilën temë diskutimi do jetë edhe Rregullorja e BQK-së e çështja e dinarit.

Më 27.02.2024, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe një delegacion serb u takuan në Bruksel.

Konfirmon BE, në takimin e së martës mes kryenegociatorëve do të flitet edhe për dinarin