Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për Kurtin: Ka mentalitet komunist, nuk do që të ketë opozitë fare

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka mentalitet komunist, që nuk dëshiron të këtë opozitë.

Hoti kështu ka deklaruar teksa ka komentuar një deklaratë të Kurtit për zgjedhjet e reja ku kishte thënë se “Opozitës nuk i konvenojnë sepse humb, e Qeverisë nuk i konvenojnë sepse zhduket opozita”.

“Kur dëgjon deklarata të tilla prej kryeministri të vendit është shqetësuese për qytetarët se ti e sheh që e ke në krye të Qeverisë një person që ka mentalitet komunist, të regjimeve të kaluara që nuk do me pasë fare opozitë. Roli i opozitës, roli i mediave është kyç për një demokraci funksionale”- është shprehur ai.

“Pse prej shpalljes së Pavarësisë e këndej, krenohemi kur dalim në takime me ndërkombëtarë, sepse Kosova është ndërtuar si një demokraci funksionale, me të gjitha problemat që ka. E dyta, pushteti është ndërruar disa herë, ka pasur ndërrim të pushteteve disa herë nga pavarësia. Roli i opozitës është kyç, vendi qeveriset nga mazhoranca por opozita e ka vendin e vet. Ai kryeministër që mendon të zhdukë opozitën, së pari mashtron veten sepse në shoqërinë e Kosovës nuk e zhduk askush, as mediat, as opozitën, është shqetësuese për mentalitetin qeverisës në vend”- ka thënë Hoti në RTV Dukagjini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shtator të vitit 2023 ka folur për kërkesën e opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të parakohshme. Më lejoni t’ju them se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as Qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë sepse humb, e qeverisë nuk i konvenojnë sepse zhduket opozita. Unë jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën, por jo që ta zhduk”- ka deklaruar ai.

Kurti: Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i humb, e qeverisë nuk i konvenojë sepse zhduket opozita