Hoti: 11 milionët për energjinë, paratë do t'i shkojnë KEDS-it dhe bizneseve tjera

Ish-kryeministri i Kosovës, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar në lidhje me vendimin e kabinetit qeveritar për ndarjen e 11 eurove lidhur me krizën energjetike, për mbulimin e pagesës për familjet e cenueshme.

Hoti thotë se ky vendim nuk është politikë dhe sipas tij, mjetet e ndara nuk qëndrojnë tek familjet por transferohen te KEDS-i dhe bizneset e tjera.

“Në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike. Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve”- ka shkruar Hoti në Facebook.

Deputeti thotë se ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi siç tha ai “çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar”.

Në mbledhjen e Qeverisë sot u miratua kërkesa për bartjen e mjeteve të pa shpenzuara nga viti 2023 në vitin 2024 të fondeve nga nën programi “Kontigjenca për Energji”, në shumë prej 22,738,482 euro dhe që pastaj mund të ndahen në kuadër të masave të para që janë pjesë e programit të dakorduar ndërmjet Qeverisë dhe Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se 11 milionë euro do t’i shkojnë programit për ndihmat sociale, në mënyrë që të bëhet mbulimi  i pagesës për familjet e cenueshme.

“Bëhet fjalë për vendimin që sapo e morëm, u bartën 22 milionë euro dhe tani po ndahen në kuadër të masave që janë paraparë. Ne kemi pranu kërkesë nga Ministria e Ekonomisë për ndarjen e 5 milionë eurove, pra në kuadër të masës 4 të programit të dakorduar për zbutjen e ndikimit socio-ekonimin të krizës energjetike. Pra nga 16 milionëshi, 5 milionë shkojnë në Ministrinë e Ekonomisë, ndërkaq 11 milionë të tjera shkojnë në ministrinë e Financave Punës dhe Transfere tek programi për ndihmat sociale, në mënyrë që të bëhet mbulimi  i pagesës për familjet e cenueshme në kuadër të programit të ri që kemi miratuar për të adresuar këtë çështje”- ka deklaruar Murati.