Historia e rastit të vrasjes mizore të Marigona Osmanit që përfundoi me dënimin e të akuzuarit kryesor me burg të përjetshëm

Mëngjesi i 22 gushtit të vitit 2021 ishte i kobshëm për një vajzë ferizajase.

Në orët e para të mëngjesit të asaj dite një vajzë 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete.

Trupi i pajetë i Marigona Osmanit ishte dërguar në Spital nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.

Rasti kishte alarmuar institucionet, të cilat ishin vënë menjëherë në kërkim të të dyshuarve.

Dy ditë pas ngjarjes, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor – Dardan Krivaçën. Ky ishte kapur në fshatin Sojevë, në periferi të Ferizajt.

I përcjellë nga një numër i madh i forcave të Policisë dhe i prangosur, Krivaça ishte dërguar në Gjykatën e Ferizajt. Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Dyshimet fillestare për krimin makabër, gjithnjë sipas Prokurorisë, ishin motivet e xhelozisë.

Sipas Prokurorisë, pos Krivaçës, në vrasjen e 18-vjeçares kishte kontribuar edhe Arbër Sejdiu.

E Gjykata e Ferizajt sot ka shpallur aktgjykimin: Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasje të rëndë.

Në kohën kur ndodhi krimi i rëndë doli se Dardan Krivaça ishte i njohur për organet e drejtësisë, pasi që ai kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë 9 herë.

Këtë e thotë evidenca e Gjykatës Themelore për të kaluarën kriminale të Krivaçës.

Veprat për të cilat ai është dënuar janë kryesisht vjedhje e rëndë dhe lëndime trupore.

Vetëm gjatë vitit 2021, ndaj Krivaçës ishin shqiptuar 3 dënime të formës së prerë.

E vdekja e Marigona Osmanit kishte qenë rezultat i një dhune mizore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, kopjen e të cilës e ka siguruar KALLXO.com, Marigona Osmani para se të vritej ishte dhunuar të paktën dy herë po atë ditë.

Prokuroria e Ferizajt pretendon se dy të akuzuarit e kishin goditur me shkop 18-vjeçaren.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaça, për motive të ulëta, me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën deri sa ajo ka vdekur.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psikike e fizike.

Prokuroria ka konstatuar në aktakuzë se Marigona Osmani ishte dhunuar seksualisht para se të vritej.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Marigona Osmani u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi.

I pandehuri Dardan Krivaça në stacionin policor në Ferizaj më 24 gusht 2021 dhe në Prokurorinë e Ferizajt më 20 tetor 2021 dhe 7 qershor 2022, ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore dhe është mbrojtur në heshtje. Njëjtë kishte vepruar edhe në fazën e dhënies së mbrojtjes në Gjykatë.

Në seancën fillestare, me lot në sy, Krivaça kur është pyetur nga trupi gjykues nëse ndihej fajtor apo jo, kishte thënë: “S’po mundem kurrgjë me kuptu”.

Në këto rrethana nga Gjykata ishte konstatuar se i pandehuri Krivaça nuk e pranon fajësinë.

Ndërsa, Arbër Sejdiu kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Procesi gjyqësor kishte vazhduar me mbajtjen e një numri të madh të seancave gjyqësore, ku në cilësinë e dëshmitarëve ishin dëgjuar familjarët e të ndjerës, mjeku kujdestar si dhe ishin lëshuar video-incizimet, të cilat ishin marrë nga kamerat që kishin qenë të vendosura brenda banesës ku ishte kryer vepra penale.

Ndër të tjera, prindërit e Marigona Osmanit kishin theksuar se që nga koha kur kanë qenë në dijeni për lidhjen e të bijës, kanë vënë re humbje peshe, zbehje e ndonjëherë edhe shenja në trup.

“Kam vërejtur shenja nëpër trup, e fytyrë, mirëpo nuk kam mundur ta pyes. Kam bisedu me të, ajo s’ka tregu kurrgjë, u kanë shumë e lodhtë, rrijke vetëm shtrirë” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit në seancë.

Ajo kishte dolur edhe për ditët e fundit sa ishte gjallë e bija. Për herë të fundit tha se ka biseduar me Marigonën të premten e 20 gushtit 2021.

“Unë të premten kam bisedu me Marigonën, edhe kjo ka qenë biseda e fundit, e kam thirrë edhe në mbrëmje e s’u lajmëru se ky më ka thënë që vetëm një herë në ditë ke me folë me çikën tënde” – kishte thënë nëna e Marigona Osmanit.

Gjykata e Ferizajt kishte urdhëruar që për Krivaçën të bëhej ekspertizë psikiatrike, kërkesë që ishte paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Kurse në fjalën përfundimtare, i akuzuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, kishtë thënë: “Si unë që e kam deshtë askush s’e ka deshtë”.

Si u krye vrasja mizore sipas aktakuzës së Prokurorisë?

“I pandehuri Dardan Krivaça, me  21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon,  pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup” – përshkruhet në aktakuzën e ngritur më 2022.

Prokuroria e ngarkon Dardan Krivaçën për vrasje të rëndë dhe dhunim, ndërkaq i pandehuri i dytë Arbër Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

“I pandehuri Arbër Sejdiu, me 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën në Ferizaj, me dashje i ndihmon në kryerjen e veprës penale të dhunimit, në atë mënyrë fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesë, ku i pandehuri Arbër Sejdiu posa mbërrijnë duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje merr veprime me të cilat lehtësohet kryerjen e dhunimit, ashtu që së bashku menjëherë hyjnë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilën veprim gjatë qëndrimit në banese e merr disa herë”, thuhet ne aktakuzë, ku gjithashtu theksohen edhe veprimet tjera të të pandehurit të dytë.

“I pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur atypari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jep të pandehurit Dardan Krivaça telefonin për të thirr kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video incizimet gjegjësisht provat e veprës penale” – thuhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt pretendon në aktakuzë se dy të pandehurit e kanë goditur viktimën me shkop.

“Me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtë martesore, në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty” – thuhet në aktakuzë.