‘Ne nuk harrojmë’, protestë kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit - Foto: KALLXO.com

‘Ne nuk harrojmë’, protestë kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit - VIDEO

Për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që riktheu në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit më 2021, është mbajtur protestë në Prishtinë më 28.02.2024.

Gjykata e Apelit më datë 23.02.2024 ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, duke e kthyer kështu në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Në kundërshtim ndaj këtij të vendimi të Apelit, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbajti protestën para Pallatit të Drejtësisë.

“Jemi mbledhur këtu pranë Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili shtet duke na vërtetuar çdo herë e më shumë se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie”- tha Bjeshkë Guri, organizatore e protestës.

Sipas Gurit,  ky vendimi i Apelit për ta rikthyer rastin në rigjykim, krijon pasiguri për gratë në Kosovë.

Sipas saj, shqetësuese është edhe qasja e Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale lidhur me këtë rast.

”Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo dhe gabimisht nxjerrë konkluzione duke u mbështetur vetëm tek lëndimi fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”- tha Guri.

Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në zero, duke e rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt me të cilin Dardan Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, kurse për ndihmë në kryerjen e vrasjes Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim.

Arsyetimin e plotë të Gjykatës së Apelit për vendimin e tillë mund ta gjeni në këtë LINK.

Me datë 22.08.2021 trupi i pajetë i 18-vjeçares Marigona Osmani ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.

Dy ditë pas ngjarjes, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor – Dardan Krivaçën.  Sipas Prokurorisë, pos Krivaçës, në vrasjen e 18-vjeçares kishte kontribuar edhe Arbër Sejdiu.

Krivaça e Sejdiu u akuzuan për vrasjen e Marigona Osmanit e për këto akuza u gjykuan nga Gjykata e Ferizajt.

Krivaça ishte akuzuar edhe për dhunim kurse Sejdiu për ndihmë në kryerjen e dhunimit, por që nga këto akuza u liruan që të dy.

Në seancën e parë të gjykimit Dardan Krivaça ishte paraqitur me jelek antiplumb dhe ishte mbrojtur në heshtje. Ndërkaq, Sejdu ishte deklaruar i pafajshëm.

“S’po mundem kurrgjë me kuptu” – ishin fjalët e Krivaçës të cilat i tha para Gjykatës.

Ndërkaq, në seancën e fundit të fjalëve përfundimtare Krivaça kishte deklaruar se “Si unë që e kam deshtë askush s’e ka deshtë”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu godasin të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psikike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Drejtësisë iu deshën gati dy vite nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit të i jap epilog në shkallë të parë.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.