Dardan Krivaça në shpallje të akgjykimit 04.08.2023, FOTO: Aulona Alaj- KALLXO

Vrasja e Marigona Osmanit, arsyetimi i Gjykatës së Apelit pse e ktheu rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

04.08.2023, Gjykata e Ferizajt e kishte shpallur aktgjykimin, me ç’rast Dardan Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Mirëpo, rasti do të nisë të gjykohet nga zero pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Kolegji i Apelit që mori këtë vendim përbëhet prej kryesuesit Xhevdet Abazi, anëtarit Hashim Çollaku dhe gjyqtares referuese, Kadrije Goga-Lubishtani.

Aktgjykimi i shkallës së parë është marrë nga gjyqtari Sahit Krasniqi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Ferizajt.

Me vendimin e tillë nuk ishin ndarë të kënaqur as Prokuroria, as mbrojtja e as palët e dëmtuara.

Kështu, të akuzuarit kanë dalë para kolegjit të Apelit me datë 11.01.2024, ndërsa vendimi i kësaj Gjykate u publikua sot, më 23.02.2024.

Vendimi i Apelit ka anuluar në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer rastin në rigjykim.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit

Sipas kolegjit të Apelit, dispozitivi i parë dhe i dytë i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me ligjin.

Dispozitivi i parë i aktgjykimit ka të bëjë me veprën penale të dhunimit, veprime për të cilat Krivaça u lirua nga akuza. Ndërkaq dispozitivi i dytë lidhet me akuzat ndaj Arbër Sejdiut për ndihmë në kryerjen e dhunimit, vepër për të cilën i njëjti ishte liruar nga shkalla e parë.

Sipas vendimit, ky dispozitiv i parë është ndërtuar duke marrë për bazë xhelozinë si motiv për kryerjen e veprës penale, e që motivi i kryerjes së një vepre nuk hyn në elementin inkriminues të veprës penale.

Tutje, vendimi analizon pjesën e akuzës dhe aktgjykimit që vrasjen e Marigona Osmanit e quan “mizore.”

Sipas vendimit të shkallës së dytë, një konstatim i tillë duhet të bëhet nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore e jo nga gjykata. Lidhur me këtë Apeli i dha si rekomandim Gjykatës së shkallës së parë, që në rigjykim të angazhojë një ekspert të fushës së tillë.

Po ashtu, në vendim thuhet se Gjykata e shkallës së parë nuk e ka trajtuar si çështje faktin se Krivaça dhe tani e ndjera Marigona Osmani kanë qenë në marrëdhënie që sipas ligjit konsiderohen marrëdhënie familjare.  Apeli shtjellon se Gjykata e shkallës së parë nuk e ka marrë parasysh dispozitën që përcakton vrasjen nga anëtari i familjes.

Kolegji i Apelit në arsyetimin e dhënë e ka quajtur si “hipotetike”, “të dykuptimshe” dhe “konfuze” mënyrën e ndërtimit të aktakuzës nga Prokuroria dhe ricilësimin e veprës nga Gjykata e Ferizajt.

Kujtojmë se në shpalljen e aktgjykimit, Gjykata kishte ndryshuar veprën që ngarkon Arbër Sejdiun nga vrasja e rëndë në ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Sa i përket kësaj, Apeli tha se nuk janë dhënë arsye të qarta dhe bindëse lidhur me veprimet e të pandehurit Sejdiu në drejtim të veprës së ndihmës në kryerjen e vrasjes.

Përveç kësaj, kolegji i Apelit shtjelloi se në këtë rast ka munguar analizimi i provave dhe vlerësimin e tyre e quajti të “mangët”, “jo i drejtë” dhe “të palogjikshëm”.

Për fund, Apeli me anë të vendimit i ka rekomanduar Gjykatës së shkallës së parë që në rigjykim të kujdeset që veprimet inkriminuese të të akuzuarit të përfshihen në mënyrën e duhur te normat materiale e veprave penale duke përfshirë edhe pjesën liruese.

Historiku i rastit

Dardan Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëkryerje me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta Marigona Osmanin. Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Krivaça dhe Sejdiu e kanë goditur tashmë të ndjerën me një shkop në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Gjykimi për këtë rast ka filluar në korrik të vitit 2022, kurse seanca e fundit u mbajt më 02.08.2023.

Drejtësisë iu deshën gati dy vjet nga vrasja e Marigona Osmanit që rastit t’i jepej epilog në shkallë të parë.

Më 22.08.2021 Policia ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, dhe kjo ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale” – përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18” – përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin” – shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë,  04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit,  13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57” – përshkruhet në aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK