Vrasja e Marigona Osmanit, familja kërkon burgim të përjetshëm për Arbër Sejdiun

Rasti i vrasjes së Marigona Osmanit arriti në Gjykatën e Apelit, në të cilën sot është mbajtur seanca kundër të akuzuarve Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu.

Disa minuta pasi filloi, seanca u mbyll për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

KALLXO.com ka arritur të siguroj ankesat e parashtruara nga mbrojtja e Krivaçës dhe Sejdiut si dhe nga familja e viktimës.

Gjykata e Ferizajt me 4 gusht të vitit të kaluar dënoi Krivaçën me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa të akuzuarin tjetër Arbër Sejidu me 15 vite burgim të ndihmën në kryerjen e vrasjes.

Me këtë vendim të gjyqtarit Sahit Krasniqi, të pakënaqur u ndanë mbrojtja, familja e viktimës si dhe Prokuroria, të gjithë prej të cilëve parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit.

Familja e viktimës Osmani me ankesën e parashtruar përmes avokatit Rexhepi kanë kërkuar që të bëhet ashpërsimi i dënimit për të akuzuarin Arbër Sejdiu në 25 vite burgim ose burgim të përjetshëm.

KALLXO.com mëson se sa i përket ankesës së Prokurorisë fokusi është tek ri-cilësimi i veprës penale për Sejidun. Me këtë Prokuroria ka kërkuar që edhe Sejdiu të shpallet fajtor dhe të dënohet për vrasje.

Këtë e ka konfirmuar avokati i familjes së viktimës, Gazmend Rexhepi, në një prononcim për media.

Kujtojmë se Arbër Sejidun aktakuza e ngarkonte me veprën penale të vrasjes, ndërsa në shpalljen e aktgjykimit kjo vepër u rikualifikua nga Gjykata në ndihmë në kryerjen e vrasjes, vepër për të cilën edhe u dënua.

Ndërkaq, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtja e Arbër Sejdiut me avokaten Arbnora Shefkiu e cila përmes ankesës ka kërkuar që i njëjti të lirohet nga akuzat apo që rastin ta kthej në rigjykim.

Ndërsa mbrojtja e Dardan Krivaçës përmes ankesës ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim e këtë e ka bazuar në shkelje procedurale gjatë gjykimit.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen edhe për dhunim dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit, akuza për të cilat në shkallë të parë janë liruar.

Kolegji i Apelit i cili po trajton këtë çështje në shkallë të dytë përbëhet nga Xhevdet Abazi si kryesues, Kadrije Goga Lubishtani si gjyqtare referuese dhe anëtari Hashim Çollaku.

Historikun e plotë të këtij rasti mund ta lexoni në këtë LINK.