"Hidrodrini" rikthen furnizimin me ujë në fshatrat e Deçanit

Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidrodrini” kanë vendosur që nga ora 13:00 të rikthejnë furnizimin me ujë në fshatrat e komunës së Deçanit ku dyshohet se janë helmuar qindra qytetarë.

Sipas njoftimit të “Hidrodrinit”, ky vendim është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent.

“Sot, pas takimit të Shtabit Emergjent Komunal të Deçanit është vendosur që nga ora 13:00 të rikthehet furnizimi nga sistemi i ujësjellësit për zonën në fjalë. Përkundër këtij vendimi, të përbashkët të Shtabit Emergjent, KRU ‘Hidrodrini’, rekomandon që uji sërish, mos të përdoret për pije, por vetëm për nevoja sanitare dhe higjienike, deri në një vendim të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Qindra qytetarë deçanas dyshohet se janë helmuar nga një rrjet furnizues i kësaj kompanie, ndërsa rezultatet finale të analizave ende nuk janë bërë të ditura nga Instututi i Shëndetësisë Publike.

Në anën tjetër, dy persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit në Deçan.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka njoftuar se dy viktimat me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion për shkak të dyshimeve se kanë qenë të helmuar.

Qytetarët thonë se kanë pasur diarre, marramendje, molisje e vjellje. Qytetarët e helmuar janë nga fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Ujësjellësi “Hidrodrini” menjëherë pas dyshimeve për helmim, ka ndalur furnizimin me ujë në këto fshatra.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka deklaruar në një konferencë për media se kjo është hera e dytë që brenda 1 muaji qytetarët janë duke u helmuar nga uji i pijshëm.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se nga rezultatet e fundit fiziko-kimike të ujit të pijshëm në disa fshatra të Deçanit ka rezultuar se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara të standardeve.

Ramadani po ashtu tha se për rezultatet definitive duhet të pritet 24 deri në 48 orë.

Dy vdekje të dyshimta në Deçan, Prokuroria ende nuk e di nëse ishin të helmuar