Dy vdekje të dyshimta në Deçan, Prokuroria ende nuk e di nëse ishin të helmuar

Dy persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit në Deçan.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka njoftuar se dy viktimat me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion për shkak të dyshimeve se kanë qenë të helmuar.

Sipas tij, ende nuk dihet nëse viktimat kanë qenë të helmuara sikurse një numër i madh i qytetarëve të Deçanit.

“Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Viktimat me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në IML për obduksion për të kuptuar arsyen e vdekjes. Deri më tash nuk dihen nëse personat që kanë vdekur kanë qenë të helmuar, por për shkak të dyshimit se kanë qenë të helmuar, prokurori i shtetit ka marrë këtë veprim. Në lidhje me veprimet e mëtutjeshme ende nuk mund të flasim, ndërsa jemi në pritje të rezultateve finale nga Instituti i Shëndetësisë Publike”, ka thënë Nikçi.

Mbi 500 qytetarë nga Deçani dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Deri më tash, dyshohet se këta qytetarë janë helmuar nga një degë e furnizimit të kompanisë “Hidrodrini”.

Qytetarët thonë se kanë pasur diarre, marramendje, molisje e vjellje. Qytetarët e helmuar janë nga fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Ujësjellësi “Hidrodrini” menjëherë pas dyshimeve për helmim, ka ndalur furnizimin me ujë në këto fshatra.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka deklaruar në një konferencë për media se kjo është hera e dytë që brenda 1 muaji qytetarët janë duke u helmuar nga uji i pijshëm.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se nga rezultatet e fundit fiziko-kimike të ujit të pijshëm në disa fshatra të Deçanit ka rezultuar se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara të standardeve.

Ramadani po ashtu tha se për rezultatet definitive duhet të pritet 24 deri në 48 orë.

“Ne kemi vazhduar gjurmimin e shkaqeve dhe deri në momentin e fundit kemi nxjerrë rezultatet e dyta të analizave fiziko-kimike duke marrë mostrat në hyrje të qytetit, në dalje të qytetit dhe analiza fiziko-kimike ka rezultuar pa tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standarde sipas udhëzimit admnistraitv”, tha Ramadani në një konferencë për media.