Foto: Islam Berisha, KALLXO.com

Greva e minatorëve dhe protesta e policisë, nuk kalojnë kërkesat e partive opozitare për debat parlamentar

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një kërkesë për ndryshim të rendit të ditës nga Partia Demokratike e Kosovës për të futur në rend të ditës një rezolutë për çështjen e grevës së minatorëve të Trepçës.

Kundër këtij propozimi kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke pamundësuar ndryshimin e rendit të ditës.

“33 e përkrahen mocionin, 36 e kundërshtuan dhe 7 abstenuan kështu që nuk kalon mocioni i PDK-së”- tha kryeparlamentari Galuk Konjufca.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri teksa prezantoj kërkesën tha se ka kanë pritur nga qeveria se do të plotësoj kërkesat e minatorëve.

“Kemi procedu me një kërkesë për një debat dhe rezolutë që përkrah minatorët e Trepçës. Tash e 10 ditë minatorët janë në grevë, ne nuk kemi dashtë me politizu sepse i kemi dhënë kohë Qeverisë të zgjidh këtë çështje por një gjë e tillë nuk ka ndodh. Ne rezolutën e kemi proceduar dhe kërkojmë që të hy si pikë e parë në rend të ditës”- tha ai.

Kjo kërkesë e PDK-së mori mbështetjen e dy partive opozitare, LDK e AAK.

Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi tha se kërkesat e minatorëve janë minimaliste.

“Grupi i LDK-së konsideron që është me interes që në mënyrë urgjente të trajtohet cështja e minatorëve të Trepçës. Kërkesat e tyre janë kërkesa minimaliste, Trepça është ndërmarrje publike dhe shteti duhet të garantojë që pagat në fund të muajit të ju dalin në gjiro llogari. Duhet të trajtohet me karakter urgjent”- tha ai.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri tha se e mbështetin kërkesën duke shtuar se propozojnë edhe një debat për çështjen e protestave të Njësisë Speciale të Policisë për çështjen e shtesave të rrezikshmërisë.

“Është me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja Policëve të Kosovës sepse nëse vazhdon ky zinxhir i protestave është duke devalvuar vendi”- tha ai.

Edhe kjo kërkesë e AAK-së për ndryshim të rendit të ditës u hodh në votim por nuk u miratua.

“50 abstenuan kështu që nuk kalon ky mocion”- tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila tha se LVV konsideron që diskutimi për çështjen e grevës është tendencë për politizim të saj.

“Më 31 tetor në mbledhjen e rregullt të komisionit për ekonomi kemi ftuar anëtarët e Trepçës që të diskutojmë bashkë lidhur me kërkesat. Ajo çka ne jemi dakorduar është që çështja e kryeshefit të trajtohet me urgjencë, të merret obligimi që pagat të ekzekutohen çdo muaj më së largu deri në datën 10. Të gjitha përpjekjet për tu ndërprerë greva janë bërë. Kjo është hera e parë që nuk ka këshill grevist. Si grup parlamentar konsiderojmë që diskutimi i sotëm do të jetë tendencë për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje”- deklaroi ajo.

Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Në anën tjetër, Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.

Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha.

Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës” merr vendim për largim të përkohshëm nga puna të disa sindikalistëve