Trepça, Foto: KALLXO.com

Kryeshefi ekzekutiv i "Trepçës" merr vendim për largim të përkohshëm nga puna të disa sindikalistëve

Kryeshefit ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani, ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të disa punëtorëve.

Fjala është për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha.

KALLXO.com e ka siguruar kopjen e vendimit.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se këta punëtorë kanë bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës, se kanë keqpërdorur të drejtën për grevë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Po ashtu, në vendim punëtorët akuzohen edhe për sabotim.

Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar nënkryetarin e Sindikatës, Destan Kerleshi, i cili vendimin e kryeshefit e ka quajtur të papranueshëm, tendencioz, dhe të rrezikshëm për situatën në të cilën gjenden minatorët aktualisht.

“Në vend se me bo thirrje për një marrëveshje dhe me ua plotësu kërkesat minatorëve dhe të dalin nga miniera, këta veç e acarojnë gjendjen me këtë vendim, i cili është edhe anti-ligjor, se në bazë të ligjit sindikal ne kemi të drejtë, kemi edhe imunitet. Nuk mundet me procedu kësi vendimesh” – ka thënë Kerleshi për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se këtë vendim e cilëson si kërcënim dhe mënyrë për t’ia ulur zërin kësaj Sindikate.

“Nuk kanë të drejtë ta cenojnë zërin e Sindikatës i cili është zë për të drejtat e punëtorëve”- tha ai.

Kerleshi përmendi se janë duke i shqyrtuar edhe hapat ligjorë.

“Ne jemi duke i shqyrtuar edhe hapat ligjorë, por jemi në një gjendje ku minatorët janë në minierë, dhe kjo është kryesorja që ata të dalin dhe tashmë vetëm shkoi edhe dita e shtatë dhe me të vërtetë është e patolerueshme qysh as Qeveria, as ministria, as njerëzit kompetentë që janë për këtë punë nuk po bisedojnë me minatorët që të arrihet një marrëveshje…”- tha Kerleshi.

Ai gjithashtu u shpreh se gjendja e minatorëve është e rënduar.

“Gjendja është e rënduar. Është shumë e rënduar. Tash është dita e 7-të edhe kushtet e minierës çfarë janë, është lagështia, pluhuri. Domethënë po ju shkakton shumë probleme, sidomos tani me tension të lartë, po kanë kokëdhimbje, marramendje, (probleme) me frymëmarrje” – theksoi ai.

Sot është bërë një javë nga fillimi i grevës së minatorëve të “Trepçës”.

Që kur ka nisur greva e minatorëve, disa nga grevistët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka dhënë sot dorëheqje nga kjo pozitë pas mbledhjes që ka pasur me bordin mbikëqyrës të “Trepçës”.