Gramoz Vokrri flet për mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të FFK-së

Federata e Futbollit të Kosovës në bazë të vendimit të Këshillit Ekzekutiv ka vendosur që zgjedhjet për kryetarin e ri të Federatës së Futbollit të Kosovës t’i zhvillojë me 6 prill.

Lidhur me këtë vendim, të Këshillit Ekzekutiv, shumë sportdashës në Kosovë kanë reaguar, duke e cilësuar si në kundërshtim me statutin e brendshëm të FFK-së, për shkak të pretendimeve për mosrespektim të afateve kohore.

Gramos Vokrri, djali i ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit, në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com ka komentuar zhvillimet e fundit në FFK, derisa nuk e ka komentuar që mund të jetë njëri nga kandidatët për të të udhëhequr me institucionin kryesor të futbollit vendor.

“Nuk po më duken zhvillime të hijshme ato çfarë po ndodhin në FFK, sidomos pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, është e pahijshme për një federatë me ardhur në këtë gjendje, ka shkelje të statutit në baza ditore, ka shkelje të statusit sipas ekspertëve të kësaj çështje”, tha fillimisht Vokrri.

Ai ka përmendur mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të FFK-së.

“Për me qenë kandidat, nuk mjafton vetëm një deklaratë publike, duhesh me qenë burim i vullnetit të klubeve, gara është e mbyllur, pa prezantim të ndonjë plan-programi, nëse ka vullnet nga klubet, atëherë, jam i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin e futbollit”, tha Vokrri për KALLXO.com.

Eroll Saliu për KALLXO.com kishte deklaruar se FFK-ja ka bërë shkelje të statutit në momentin e shpalljes së zgjedhjeve. Ndërsa, pas kësaj deklarate FFK-ja e kishte pezulluar nga detyrat në FFK, Eroll Saliun.

Reagon djali i Fadil Vokrrit: Agim Ademi po e shkatërron FFK-në