U deklarua për media, Eroll Salihu suspendohet për 6 muaj nga dy pozita

Komiteti ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera është vendosur edhe për suspendimin e Eroll Salihut nga pozita e këshilltarit ligjor dhe drejtorit për çështje sportive në FFK.

Sipas vendimit, Salihu është suspenduar në afat prej 6 muajsh.

Në vendim thuhet se Eroll Salihu ka bërë shkelje të Kodit të Etikës dhe ka shkelur urdhëresën e FFK-së.

“KE mori vendim për suspendimin për 6 muaj të z. Eroll Salihu, drejtor për çështje sportive dhe Këshilltar Senior Ligjor, pasi që i njëjti ka bërë shkelje të Kodit të Etikës si dhe ka shkelur urdhëresën e FFK-së, ku u ndalohet zyrtarëve të FFK-së të deklarohen për media pa marrjen e pëlqimit nga drejtuesit e FFK-së. KE shqyrtoi edhe Parashtesa dhe ankesa drejtuar këtij organi”, thuhet në njoftim.

Eroll Salihu ditë më parë në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se thirrja e kuvendit zgjedhor për pozitën e të parit të FFK-së është joligjore.