Fillojnë veprimet fillestare disiplinore ndaj gjyqtarit të Ferizajt për komentin që la në një nga lajmet e KALLXO.com

Ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu, ka filluar procedurë disiplinore në lidhje me komentin të cilin e kishte bërë në një nga lajmet e KALLXO.com, në të cilin tregohej se një burrë nuk kishte lënë gruan e tij të futet në shtëpi pasi kishte darkuar me kolegë të punës për iftar.

“Edhe unë nuk e kisha miratu këtë shëtitje të gruas nëpër iftare të hamamit”- është vetëm një pjesë e komentit që Salihu kishte lënë përfundi lajmit të publikuar të faqen e KALLXO.com në Facebook.

Lajmin për fillimin e procedurës fillestare disiplinore për gjyqtarin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gjykata e Ferizajt.

KALLXO.com nga përgjigjja e Gjykatës mëson se rasti ende nuk është referuar në Këshillin Gjyqësor i Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

“Krejt çka mundemi me ju thanë në këtë është se sipas detyrës zyrtare pas transmetimit të kronikës në emisionin e mbrëmshëm televiziv kemi ndërmarrë veprimet fillestare konform ligjit për procedurën disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët” – thuhet në përgjigje.

Rasti i gjyqtarit Salihu gjendet në fazën fillestare të hetimeve, pasi që sipas Ligjit për inicimin e procedurave disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, autoriteti kompetent, që në këtë rast është kryetari i Gjykatës së Ferizajt, nëse vlerëson së janë përmbushur elementet për inicimin e procedurës disiplinore i dërgon kërkesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Për ta hetuar rastin, KGJK duhet ta formojë një panel hetimor nga tre gjyqtarë të një gjykate tjetër, në afat prej jo më larg se 15 ditë prej kur është pranuar kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore. Ky panel mbledh prova dhe u jep mundësinë palëve që të përgjigjen në pretendimet e ngritura. Këto hetime të panelit mund të zgjasin deri në pesë muaj.

Një lajm në KALLXO.com më 31.03.2024 ishte publikuar ku shpërfaqte një veprim të një burri i cili nuk e kishte lënë bashkëshorten e tij të futet në shtëpi pasi ajo kishte dalë për iftar me kolegët e saj.

Detaje më shumë lidhur me lajmin mund ti gjeni duke klikuar KËTU.

Por, ajo çka e karakterizon këtë lajm është një koment i cili është bërë nga gjyqtari për kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt.

Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët.

 

KALLXO.com ka provuar gjatë ditës që të takohet me gjyqtarin e rastit për të marrë një prononcim nga ai për të verifikuar nëse komenti që është bërë në lajmin e specifikuar është bërë nga profili i gjyqtarit në fjalë, mirëpo gjyqtarin ekipi i KALLXO.com nuk ka pasur mundësi ta takojë drejtpërdrejt në Gjykatë gjatë ditës së merkurë, më 17.04.2024.

Në mungesë të një mekanizimi verifikues, KALLXO.com ka provuar edhe një mundësi kontakti me gjyqtarin përmes linjës telefonike, por gjyqtari nuk ka qenë i qasshëm në telefon gjatë tërë ditës.

Salihu në biografinë e tij, e cila është publike në faqen e Gjykatës së Ferizajt, del të ketë qenë prokuror në Ferizaj nga viti 2012 deri në vitin 2013.