Gjobë 3,000 euro ndaj një pronari biznesesh nga Ferizaj për falsifikim dokumentesh

Gjykata e Ferizajt ka shqiptuar dënim me gjobë prej 3,000 eurosh të akuzuarit për falsifikim dokumentesh K. R., pronar i disa kompanive.

Sipas dosjes së gjykatës, së datës 27.01.2023,  i pandehuri K. R. në vitin 2018 kishte prezantuar në Divizionin Civil të kësaj gjykate dokumente të falsifikuara, gjegjësisht kontrata pune të nënshkruara kinse nga i dëmtuari M. R. dhe nga vetë i pandehuri K. R.

Tutje nē dosjen e gjykatës theksohet se i pandehuri nuk e ndjen veten fajtor lidhur me akuzat e prokurorisë me arsyetimin se kompanitë e tij kanë rreth 400 punëtorë, dhe se i njeh vetëm menaxherët dhe inxhinierët.

Nē dosje sqarohet se i dëmtuari  nuk ka poseduar kontratën e punës, e as nuk ka qenë i deklaruar në ATK deri në muajin e fundit të vitit 2017, kurse kontratat e prezantuara nga i pandehuri nuk kane qenë të nënshkruara nga i dëmtuari.

në dosjen e gjykatës thuhet se mbrojtja e të akuzuarit e ka pranuar se vula e paraqitur në kontratë është e të pandehurit, kurse lidhur me përpilimin dhe nënshkrimin e tyre përgjegjës janë persona të autorizuar të kompanisë së tij.

Në fund, gjykata i konsideroi si të paqëndrueshme dhe kontradiktore deklaratat e të pandehurit, dhe se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale të falsifikimit.

Si rrethanë rënduese u mor rrezikshmëria shoqërore të kësaj vepre penale, kurse rrethanë lehtësuese nuk u gjet.

Falsifikimi i dokumenteve kualifikohet si vepër penale sipas KPRK-së, neni 398.