Ilustrim

Gjashtë të arrestuar për trafik armësh nga Shqipëria drejt Kosovës

Gjashtë persona janë arrestuar pas një operacioni të Policisë së Shqipërisë kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake drejt Kosovës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rrugëtimi” të shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër, bëhet e ditur se gjashtë shtetas u kapën në flagrancëë, në ambientet e jashtme të një pike karburanti, me 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock”, sasi municioni luftarak, si dhe me shuma prej 222.000 lekësh dhe 710 eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit apo të mbajtjes së tyre pa leje, pas një hetimi disamujor, për një grup shtetasish që trafikonin armë zjarri drejt Kosovës, u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Rrugëtimi”. thuhet në raportin e Policisë së Shtetit.

Në operacionin e shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër, ranë në prangat e policisë: Rr. S., 28 vjeç, banues në Dibër; B. SH., 24 vjeç, banues në Bulqizë; B. N., 33 vjeç, banues në Durrës; U. H., 27 vjeç, banues në Dibër; H. H., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe K. B., 61 vjeç, banues në Fushë-Krujë.

Autoritetet e Policisë së Shtetit Shqiptar vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Kosovës.