Tentoi t’i ikë policisë, arrestohet i dyshuari në Graçanicë
Një person është arrestuar në Graçanicë pasi dyshohet se gjatë ikjes nga Policia ka hedhur një armë zjarri dhe një sasi të vogël të substancës narkotike.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 02.06. 2026, rreth orës 21:47.
Policia njofton se gjatë tentimit për ta kontrolluar të dyshuarin, ai ka filluar të ikë nëpër oborret e shtëpive përreth. Gjatë ndjekjes, i dyshuari dyshohet se ka hedhur disa sende.
Pas kontrollit të lokacionit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një fishek, si dhe një sasi të vogël të substancës narkotike.
I dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar nga Policia. Me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”.