Gjakovë - Vodhën 20 euro metale, dënohet pesëfish më shumë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me gjobë në shumë prej 100 euro, K. M. dhe L. K. pasi të njëjtit kanë vjedhur 20 euro metale.

Sipas Aktakuzës, K. M. dhe L. K. më 12 mars të vitit 2017 me qëllim të përvetësimit pasuror të kundërligjshëm, i heqin dyert e metalta të hyrjes së objektit banesor, të njëjtat i ngarkojnë në taksi dhe i dërgojnë në deponinë e metaleve në Gjakovë, të cilat i shesin për çmimin prej 20 euro, me ç ‘rast të dëmtuarve iu sjellin dëm të konsiderueshëm material.

“Nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë, Gjykata do ta zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditëve, duke ia llogaritur për çdo ditë të kaluar në burg nga 20 (njëzet) euro”, thuhet në aktgjykim.

Tutje thuhet se i akuzuari K. M. në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se e pranon veprën penale për të cilat akuzohet, shton se është penduar dhe po ashtu se me palën e dëmtuar është pajtuar, andaj i propozoi gjykatës që të ketë parasysh një dënim sa më të lehtë.