Gërvalla në Vjenë kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës dhe drejtësi për sulmin në Banjskë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës dhe përgjegjësi për autorët e sulmit paramilitar në Banjskë, gjatë takimit ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Vjenë.

Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, Gërvalla ka nënvizuar se agresori Milan Radoiçiq dhe organizatorët e tjerë duhet të dalin para drejtësisë në Kosovë.

“Sulmi agresor dhe paramilitar në Banjskë duhet të ketë pasoja reale për Serbinë dhe organizatorët e tij, përfshirë Millan Radoiçiqin, që duhet të dalë para drejtësisë në Kosovë”- citohet të ketë deklaruar Gërvalla.

Gërvalla ka shprehur shqetësim për trajtimin e qytetarëve kosovarë në pikat kufitare me Serbinë, duke përmendur ndalesat e pajustifikuara dhe arrestimet arbitrare nga autoritetet serbe, duke theksuar se këto praktika bien ndesh me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.

Ministrja gjithashtu ritheksoi se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve dhe bëri thirrje për hapa konkretë nga institucionet e Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit.

Njoftohet se takimi u mbajt me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dhe me pjesëmarrjen e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Masat ndaj Kosovës u vendosen në qershor të vitit 2023 si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në Komunat në veri, pas Zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Ndryshe, sa i përket adresimit të Gërvallës për sulmin në Banjskë, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24.09.2023, kur në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa policë të tjerë kishin intervenuar pas një informate se në një urë ishin vendosur barrikada.

Një mjet shperthyes, që dyshohet se ishte me telekomandë, i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Aty ishte plagosur edhe polici Alban Rashiti, teksa kishte pasur shkëmbim zjarri me një grup që sulmoi Policinë e Kosovës.

Pamjet e marra nga droni, të cilat u publikuan më 26.09.2023, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, jashtë objektit të bujtinës së Manasatirit të Banjskës, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake. Po ashtu, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit.

Në mesin e terroristëve ishte edhe Millan Radoiçiq, i cili më 29.09.2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

“Unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për të mbrojtur popullin tonë nga okupatori. Unë kam marrë vendim të bëj këtë akt të them se Kosova është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë, po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova të pastrohet tërësisht nga populli serb” – thuhet në letrën e Radoiçiq.

Millan Radoiçiq është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë. Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiq. Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.
Sulmin terrorist në Banjskë e dënuan akterë të shumtë ndërkombëtarë e vendorë.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska” ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku?

Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.

Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.

Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar.

Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.

Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për terrorizëm janë në paraburgim që nga shtatori i 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24.09.2023 tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.

Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.

Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.

Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.

“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.

Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Seancat gjyqësore për rastin “Banjska”

Seanca e fundit gjyqësore për rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u mbajt më 24.07.2025. Ajo ishte me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat.

Kjo pasi më 24.07.2025 është paraparë që të dëgjohet një dëshmitar i nacionalitetit serb, lidhur me ndodhinë e datës 23 dhe 24.09.2023 ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bujnaku.
Raportimet në lidhje me sulmin në Banjskë i gjeni në këtë LINK.