Letra e plotë e Radoiçiqit për pjesëmarrjen e tij në sulmin terrorist në Banjskë

Është dita e gjashtë që kur Millan Radoiçiq u arratis nga Banjska pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator. Pjesëmarrja e tij në këtë sulm u zbulua vetëm gjatë kohës kur Policia e Kosovës arriti t`i shikoj pamjet që kishte kapur nga droni deri sa ishin pozicionuar për t’iu kundërpërgjigjur sulmit me armë të shumta luftarake në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite.

Gjashtë ditë pas sulmit, avokati Goran Petronijeviq lexoi një letër e cila sipas tij ishte shkruar nga i arratisuri Millan Radoiçiq për t`iu drejtuar siç tha avokati, popullit.

KALLXO.com ju sjellë të plotë letrën e Radoiçiqit por edhe njoftimet zyrtare të Policisë së Kosovës për të gjitha pretendimet që tashmë i arratisuri i ka shkruar në letër për ngjarjen e 24 shtatorit 2023.

Adresimi i të arratisurit nga organet e rendit të Republikës së Kosovës, Millan Radoiçiq: 

Unë Millan Radoiçiq, biri i Rajkos, i lindur në vitin 1978 në Pejë – Kosovë …………… për shkak të spekulimeve të shumta që janë paraqitur në këtë rrugë, njoftoj të gjithë publikun se bashkë me bashkëkombësit e mi nga veriu i Kosovës ……….. në ditën e 24 shtatorit 2023 kisha ardhur në veri të Kosovës ………….. në zonën e fshatit Banjskë. 

Arsyeja e kthimit tanë ka qenë që të trimërojmë popullin serb në atë zonë për të u ofruar rezistencë regjimit të Kurtit, mbrojtjes së popullit tonë që i është nënshtruar terrorit të këtillë çdo ditë dhe rritjes së ëndrrës së lirisë popullit tonë në veri të Kosovës ……….. 

Njoftoj të gjithë ndjekësit kujdestar të popullit serb, që nga Kurti dhe nga ndihmësit e tij ndërkombëtarë që unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për të mbrojtur popullin tonë nga okupatori dhe ky akt i imi nuk kishte asnjë tjetër karakter dhe qëllim dhe nuk ka asnjë lidhje me angazhimin tim paraprak politik.

Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë as strukturat lokale politike në veri të Kosovës …………. dhe prej tyre nuk kam pasur asnjë lloj ndihme sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme për sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit pasi populli serb ka ofruar rezistencë nga regjimi i Kurtit në shumë raste për zbutje dhe qetësimit të situatës politike në disa raste jemi tërhequr pa arritur ndonjë rezultat më të prekshëm sepse na thuhej se në këtë mënyrë do të kontribuonim në deeskalim dhe se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare do të ndërmerrnin çdo gjë që është e nevojshme për të mbrojtur popullin serb.

Megjithatë, ky lloj qetësimi i situatës nga ana jonë nuk është kuptuar nga ana tjetër si vullnet i mirë dhe krijim i kushteve por, si dobësi, si rrjedhojë e kësaj nga dita në ditë janë fuqizuar aktivitetet e forcave të Kurtit të cilat kanë okupuar padrejtësisht veriun e Kosmetit në kontekstin e rrahjes, shtënies në civilë arrestimet të paarsyeshme, frikësimin e popullit serb e të tjera.

Thjeshtë të gjitha këto metoda të rezistencës të cilat janë implementuar deri më tani nuk kanë ofruar asnjë lloj përmirësimi të jetës së popullit serb por ka ndodhur e kundërta, rritjen e brutalitetit të regjimit të Kurtit. Në këtë atmosferë unë kam marrë vendim të bëj këtë akt të them se Kosova ……………. janë vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim Republikës së Serbisë po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova ……….. të pastrohet tërësisht nga populli serb.

Ishim të shtyrë të ndalim dëbimin e popullit serb dhe të mbrojmë jetërat e familjeve dhe bashkëqytetarëve tanë dhe njëkohësisht të tërheqim vërejtjen regjimit në Prishtinë, bashkësisë ndërkombëtare, që ky lloj terrori i Kurtit nga populli serb nuk do të durohet.

Aksidentalisht ka ndodhur humbja e jetës së policit pastaj ka filluar një përleshje e rëndë në mes dy palëve ku kemi humbur jetën e tre heronjve miqve tanë që kanë dhënë jetën për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës …………, fisnikëria e tyre asnjëherë nuk do të harrohet.

Ta dinë të gjithë se nuk jemi terroristë por pushtetarë për lirinë e popullit tonë.

Edhe njëherë qartazi duke theksuar se kthimi im në veri të Kosovës ………… më 24 shtator 2023, nuk kishte asnjë lloj lidhje me angazhimin tim të mëhershëm politik në kuadër të Listës Serbe po ashtu me këtë rast dua të njoftoj publikun se jap dorëheqje të parevokueshme nga vendi i nënkryetarit të Listës Serbe, jam i gatshëm që lidhur me këto ngjarje t’i përgjigjem autoriteteve të Republikës së Serbisë.

Rroftë Serbia!

Millan Radoiçiq

 

Letra e Radoiçiqit u lexua në konferencën e jashtëzakonshme të avokatit të autorizuar nga vetë ai sot në orën 14:00 në Qendrën Mediale në Beograd.

Çka ndodhi saktësisht në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023?

Në orët e hershme të mëngjesit një shpërthim ishte dëgjuar në Banjskë në rrugën kryesore. Një makinë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me minahedhës e si pasojë u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, u plagos një tjetër.

Policia e Kosovës mëngjesin e së dielës në orën 08:00 kishte dhënë versionin e parë zyrtar për ngjarjen që kishte ndodhur disa orë më parë e që u sulmua ky institucion.

Në njoftim u tha se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicën Veriore, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda, kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta ishte bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor në Zveçan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe ishin nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë arritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, dhe si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Policia kishte thënë se njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar ishte konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve ishin jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe ishin sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, kishte thënë se po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.

Policia deri në orët e pasdites kishte ‘luftuar’ me një grup terroristë të veshur me rroba ushtarake e që posedonin armatim të rëndë duke përfshirë edhe armatim të rëndë.

Tre nga pjesëtarët e grupit terrorist ishin vrarë ndërsa të tjerë kishin arritur që të arratiseshin maleve të Banjskës deri në Serbi në këmbë.

Një ditë më pas, u konfirmua se në bazë të pamjeve që kishte publikuar ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, Radoiçiq kishte qenë në Banjskë.

Ai u kap nga pamjet e dronit deri sa po qëndronte në pjesën e jashtme të një bujtine e cila është pjesë e Manastirit të Zveçanit.

Me të parë dronin, pamjet tregojnë se si i njëjti kishte hyrë brenda bujtinës. Me këto pamje doli në shesh se në mesin e pjesëtarëve të grupit terrorist ishte edhe Radoiçiq, ani pse ende nuk ishte i qartë qëllimi i këtij sulmi terrorist dhe vendosja e tyre në Banjskë.

Pak orë pas komunikatës së parë që njoftoi për zhvillimet në Banjskë, Policia e Kosovës bëri publike edhe detaje shtesë për ngjarjen.

Rreth orës 14 pasdite, Policia e Kosovës tha se situata në Banjskë vazhdonte të ishte e tensionuar dhe se grupet kriminale kohë pas kohe po sulmonin me armë zjarri njësitet policore të cilat ishin në terren.

Policia kishte thënë se pjesëtarët ishin sulmues profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, dhe po shfrytëzonin hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjskë, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.

Për shkak të situatës dhe rrethanave që ishin krijuar, Policia e Kosovës njoftoi se për shkaqe të sigurisë kishte mbyllur dy pikat kufitare Jarinjën dhe Bërnjakun.

Sa më shumë njësitet policore depërtonin afër grupit, gjenin armatim të rëndë e luftarak të cilat pretendohej se ishin të grupit terrorist.

Gjatë po asaj dite u njoftua se zyrtarisht ishin vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Madje Policia e Kosovës u bëri thirrje grupit që të dorëzoheshin por të njëjtit vazhdonin sërish me sulme.

Në po atë ditë, ishte kryeministri Kurti i cili në një konferencë për media shpalosi pamje nga rrethina e Manastirit të Banjskës e në të cilat shiheshin pjesëtarët e grupit terrorist si dhe automjetet e tyre.

Pas disa orësh kundërsulm, Policia e Kosovës njoftoi zyrtarisht se ishin identifikuar tre të vrarë, dy të plagosur ishin arrestuar që i përkisnin grupit terrorist, katër persona që dyshohej se ndihmuan në logjistikë ishin arrestuar.

Në orët e mbrëmjes, intensiteti i sulmeve ndaj policisë kishte rënë ndërsa situata ende ishte e tensionuar. Grupi terrorist ishin arratisur rrugëve të maleve që çojnë për në Serbi.

Pasi kishin marrë kontrollin dhe kishin siguruar perimetrin, Policia e Kosovës gjeti në Banjskë 26 automjete, nga to dy autoblinda të cilat ishin të gjitha të mbushura me arsenal armësh e pajisje luftarake.

Armë u gjetën edhe në pjesë të tjera të fshatit ku grupi terrorist kishte krijuar pika.

Gjatë ditës edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njoftoi se që nga marrja e informatave të para lidhur me sulmin e ndodhur në mëngjesin e sotëm, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i PSRK-së për të mbikëqyrur aksionin.

Prokuroria Speciale, gjithashtu njoftoi se gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, ishin ndaluar gjashtë persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Vetëm një ditë më pas, Policia e Kosovës ekspozoi të gjitha armët që kishte gjetur në rrethinë dhe në brendësi të Manastirit.

Të dhënat tregonin për dhjetëra armë të ndryshme të rënda e të lehta, mjete shpërthyese, mitralozë, karikatorë, kallashnikovë, granata dore, uniforma, radiolidhje, jelekë antiplumb, snajperë, minahedhës, pushkë automatike, pushkë gjuetie, çanta ushtarake, uniforma ushtarake, etj.

Reagimet ndërkombëtare e vendore ishin të shumta pas sulmit terrorist.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, më 26 shtator ka thënë se përgjegjësit për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës duhet të sillen para drejtësisë.

Stano tha se hetimet janë duke vazhduar, dhe ato asistohen nga EULEX dhe KFOR.

“Hetimet me aq sa kemi ne informacione po vazhdojnë, hetimet nuk ka përfunduar ende dhe ato nuk janë kryer akoma. Hetimet janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, ata asistohen me kërkesë nga EULEX-i dhe KFOR-i. Për aq sa hetimi është duke vazhduar, ne nuk do të bëjmë paragjykime dhe verdikte për atë se çfarë ka ndodhur, kjo është për njerëzit që janë duke u marrë me të”- tha ai.

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, tha se incidenti në veri të Kosovës përbën një problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Clark tha se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë, ndërsa u shpreh se armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kundërshtuan përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

Kështu kishte thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”- tha Miller.

Misioni i NATO-s në Kosovë kishte deklaruar se trupat e KFOR-it ishin të gatshëm të ndërhynin nëse kërkohej, pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se ishin të pranishëm në zonë duke vëzhguar afër situatën.

“Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”- thuhej në njoftim.

Për tri ditë, Banjska ishte e paarritshme për mediat dhe për personat e paautorizuar që të futen brenda këtij fshati.

Kjo për shkak se Policia e Kosovës kishte bërë sigurimin e perimetrit dhe ishte fokusuar në kontroll të detajuar të këtij fshati pas armatimit të rëndë që u gjet e pas sulmit terrorist që ndodhi.

Të mërkurën ekipet e mediave patën mundësinë që të hyjnë brenda Banjskës për të parë së çka kishte mbetur aty. Veprimet e grupit të uniformuar që sulmuan nga Banjska u konsideruan terroriste.

Këtu mund të lexoni dhe të shihni të plotë reportazhin për lirimin e Banjskës:

Banjska, fshati ku burrat qetësisht pinë birra e fëmijët flasin me specialët