Dokumentet e gjetura që dyshohet se i përkasin Milan Radojiçiqit. FOTO: Adelin
Dokumentet e Millan Radoiçiqit që u gjetën në veturën e grupit terrorist
Policia e Kosovës ka njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit, i cili është person i kërkuar nga autoritetet e Kosovës, njëherazi nënkryetar i Listës Serbe.
Ndërkohë, KALLXO.com ka siguruar fotografi të dokumentit që është gjetur në veturën e tipit “Mercedes G-Class”, e konfiskuar në Banjskë dhe e ekspozuar sot në kampin e Policisë “Enver Zymeri”.
Dokumentet e gjetura janë leje për posedim të armëve me emrin e Millan Radoiçiqit.
Kjo veturë dhe 23 të tjera janë lënë mbrëmë në Banjskë nga grupi terrorist pas sulmit të pandërprerë që i bënë Policisë nga orët e hershme të mëngjesit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar sot listën e lejeve zyrtare të Serbisë që i janë dhënë Radoiçiqit dhe lista me armët që ai posedon.
“Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Millan Radoiçiq që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Ai është nënkryetar i Listës Serbe që është e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiqin”- tha ai.
Mjete të rënda, mitralozë, granatahedhës, granata dore, Kallashnikovë, armë të gjata e të shkurta, uniforma, maska, municion, u gjetën e u sekuestruan nga forcat policore që nga dje pasdite.