Foto: MPJD
Ambasadori Bajrami pas takimit me Sorensenin: Dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet me njohje reciproke
Pas takimit që zhvilloi sot, më 13.05.2026, me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, kryenegociatori i Kosovës për këtë dialog, ambasadori Agron Bajrami, tha se ka kërkuar që dialogu të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryenegociatori i Republikës së Kosovës për dialogun teknik, Agron Bajrami, me emisarin Sorensen ka diskutuar për hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
“Ai po ashtu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 13.05.2026.
Bajrami po ashtu thuhet se ka insistuar në zbatimin e plotë dhe joselektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit, duke përfshirë respektimin e integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të institucioneve të saj në të gjithë territorin e vendit.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet që lidhen me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Sipas Bajramit, progresi në dialog do të varet edhe nga vendosja e përgjegjësisë për këtë sulm, përfshirë dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime të ndara në nivel kryenegociatorësh në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës, Agron Bajrami, dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Sorensen ka thënë se është paraqitur plani i punës mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për muajt e ardhshëm.
Një ditë më parë, më 12.05.2026, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Agron Bajrami, kanë diskutuar me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në lidhje mbi avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Emisari për Dialogun zhvillon takime të ndara në nivel kryenegociatorësh në Bruksel