Gazeta kroate: A e njohu Serbia një tjetër element të shtetësisë së Kosovës nën hijen e trazirave në Beograd?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e komentuar vendimin e Qeverisë së Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës (RKS), ka thënë se Prishtina do të reagojë reciprokisht “sapo policia kufitare të dokumentojë dhe të dëshmojë se Serbia e zbaton vendimin e saj në tërësi. dhe pa pengesa”, shkruan gazeta kroate Index.hr.

Në fillim të kësaj jave, Qeveria e Serbisë shpalli vendimin përmes të cilit lejon hyrjen në Serbi dhe lirinë e lëvizjes së automjeteve me targa RKS nga 1 janari. Drejtori i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, ka shpjeguar se vendimi rrjedh nga një marrëveshje mes dy palëve nga viti 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kurti: Duan ta maskojnë dështimin e aksionit të armatosur

Sipas gazetës kroate, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar vendimin e qeverisë serbe si “përpjekje për të minimizuar kritikat nga bashkësia ndërkombëtare pas parregullsive dhe mashtrimeve” në zgjedhjet e fundit.  

Kurti ka thënë se Beogradi ka marrë vendimin në targat e RKS-së për ta mbuluar “refuzimin zyrtar të marrëveshjeve themelore nga Brukseli në rrugën e stabilizimit të marrëdhënieve”, dhe për “të maskuar dështimin” e aksionit të armatosur në fshatin Banjska më 24 shtator.  

Qeveria e Kosovës në tetor të vitit të kaluar filloi procesin e riregjistrimit të automjeteve me targa serbe për qytetet e Kosovës me targa RKS, ndaj të cilit Beogradi reagoi duke i tërhequr përfaqësuesit e serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë.

Pasuan një seri krizash dhe tensionesh në veri, duke kulmuar me një aksion të një grupi paramilitar serb dhe një konflikt me policinë e Kosovës në fshatin Banjka të Kosovës veriore, kur u vranë një polic i Kosovës dhe tre anëtarë të një grupi serbësh të armatosur.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, vetëm nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3405 qytetarë në veri të Kosovës kanë ndërruar targa me shenja serbe dhe deri më tani janë riregjistruar gjithsej 4210 vetura. Pjesa më e madhe e veriut të Kosovës është komuniteti serb me rreth 90 për qind të popullsisë, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale janë regjistruar rreth 45.000 votues./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala