Dyshimet për kurdisje, Prokuroria autorizon hetime në rastin e ndeshjes Ulpiana – Vllaznia

Komisioni i Garave të Superligës dhe të Ligës së Parë të Federatës së Futbollit të Kosovës më 11.04.2024 kishte konstatuar se ndeshja mes KF Ulpiana dhe KF Vllaznia e Pozhoranit, e zhvilluar në kuadër të javës së 21-të të Raiffeisen Liga e Parë, grup B, ishte e kurdisur.

Sipas njoftimit të FFK-së, ndeshja mes dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 4:3 për klubin Vllaznia e Pozhoranit.

Por, FKK-ja thotë se rezultati i kësaj ndeshje nuk do të regjistrohet në tabelën e klasifikimit të ligës përkatëse për shkak se është kurdisur.

Prokuororia Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com se ka autorizuar Policinë e Kosovës në ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje.” – thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Konstatimin se kjo ndeshje kishte të bëjë me kurdisje të rezultatit të ndeshjes, komisioni në njoftimin e saj kishte thënë se e kishte bazuar në disa prova.

“Bazuar deklaratat e personave zyrtarë të FFK-së, xhirimeve televizive të ndeshjes, analizimit të raporteve konfidenciale për rastin u konstatua se kemi të bëjmë me kurdisje e rezultatit të ndeshjes” – thuhet në njoftim.

Komisioni i Garave të FFK-së, sipas njoftimit, ka iniciuar procedura disiplinore ndaj dy kubeve, Ulpiana dhe Vllaznia, për kurdisje të rezultatit të ndeshjes dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Procedura disiplinore është iniciuar ndaj zyrtarit të Ulpianës, Meriton Isufi, lojtarëve: Rigon Llugiqi, Gentian Emini e Samet Rexhepi. Procedurë është iniciuar edhe ndaj Agron Pirës, zyrtar i KF Vllaznia.

FKK: Ndeshja Ulpiana – Vllaznia ishte e kurdisur, iniciohet procedurë disiplinore ndaj personave të përfshirë