Foto: Ministria e Shëndetësisë

Fillon renovimi i Klinikës së Onkologjisë

Ndonëse drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në maj pati thënë se planifikojnë që renovimi i kësaj klinike të fillojë në qershor e të kryhet në nëntor, por kjo nuk ka ndodhur.

Qendra Klinike e Universitare e Kosovës ka njoftuar sot për fillimin e këtij renovimi.

Ministria e Shëndetësisë tha sot se që ky projekt do të përfundojë brenda gjashtë muajsh, punimet do të organizohen në dy ndërrime dhe ka publikuar edhe foto të planit të projektit.

Në maj Ministria pati njoftuar se ka filluar transformimi rrënjësor i Onkologjisë me 2.1 milionë euro investime. Ndërsa, në gusht ishte përuruar akseleratori i ri, pajisje për rrezatim, e cila ka kushtuar 1 milion e 444 mijë euro.

“Njoftojmë se pacientët që kanë qenë të shtrirë në katin e dytë të Klinikës së Onkologjisë janë zhvendosur në hapësirat afër Sterilizimit Qendror, hapësirë kjo që më parë ka shërbyer për pacientët si ambulanca specialistike të Klinikës së Ortopedisë” – thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Shërbimet ambulantore, ato të radioterapisë dhe brahiterspisë, sipas QKUK-së do të vazhdojnë të ofrohen në Klinikën e Onkologjisë.

Ky investimet infrastrukturor, siç thotë MSH,  ka për qëllim dyfishimin e hapësirave për shërbimet e kemoterapisë, riorganizimin e dhënies së shërbimeve shëndetësore dhe renovim të hapësirave pritëse për qytetaret, modernizim të shërbimeve dhe krijimin e parakushteve për përgatitje të centralizuar të terapisë, ofrimit të shërbimeve shëndetësore në dy ndërrime dhe rritjes së personelit shëndetësor.

Ministria e QKUK-ja kanë kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga pacientët gjatë kësaj kohe.

Ilir Kurtishi ishte kontaktuar nga KALLXO.com pasi që disa pacientë patën dërguar një letër në Ministri, duke u ankuar për kushtet e pakënaqshme në Onkologji.

Kreu i Klinikës pati treguar për disa prej risive që pritet të jenë rezultat i renovimit, të cilin ai thoshte se planifikohej të kryhej në nëntor.

Ai pati treguar se shtretërit për pacientë do të dyfishohen nga 40 në 80 sosh. Tri dhoma të mjekëve, Kurtishi pati thënë se do të bëhen dhoma për pacientë.