Onkologjia bëhet aparaturë të re për terapinë rrezatuese, premtohet zvogëlim i listës së pritjes për pacientët

Klinika e Onkologjisë së QKUK-së, është bërë me akselerator të ri, pajisje kjo e nevojshme për pacientët me tumor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ardhja e një akseleratori të dytë në Klinikën e Onkologjisë do të zvogëlojë listën e pritjes për pacientët e sëmurë me tumor që marrin shërbim nga ky aparat dhe do të sjellë një teknikë të re të rrezatimit në Kosovë.

“Deri tash koha e pritjes ka qenë 6 deri në 8 javë, ndërsa sipas drejtorit Ilir Kurtishi, kjo kohë do të vije në 0 brenda këtij viti” – tha Kurti pas vizitës në klinikë.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi foli për risinë që sjell ky aparat.

Aparatura e re në QKUK Foto: ZKM

“Për herë të parë në Kosovë do të përdorim edhe një teknikë të re të rrezatimit, i cili quhet stereotaksik, e cila bëhet në formë të veçantë për forma të veçanta të tumoreve, të lokalizuara në tru ose në vende të caktuara të trupit tonë” – tregoi Kurtishi.

Pacientët që kanë marrë këtë shërbim jashtë Kosovës, që sipas Kurtishit janë të paktë, që nga viti i ardhshëm do ta marrin në Kosovë dhe me instalimin e aparaturës së re edhe trajtimi onkologjik me rreze i të gjithë pacientëve do të jetë maksimal dhe nevojat për dalje jashtë Kosovës do të jenë minimale ose gati 0.

Kryeministri tha se kjo pajisje në vlerë prej 1 milionë e 444 mijë euro është instaluar e montuar në kohë rekord, për 3 muaj e 9 ditë, përderisa plani ka qenë që të bëhet për 6 muaj.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se deri në fund të vitit, në Onkologji do të investohen 2 milionë euro në infrastrukturë e rritje të kapaciteteve, duke shtuar shtretërit për të zvogëluar pritjet.

Kurtishi pati thënë për KALLXO.com se me këto investime, të planifikuara që të përfundohen në nëntor, shtretërit për pacientë do të dyfishohen nga 40 në 80 sosh.

Albin Kurti shtoi se në Onkologji punojnë 24 mjekë, 6 fizikanë dhe 40 infermierë e i falënderoi ata për punën e tyre.

Drejtori i klinikës, Kurtishi tha se me ardhjen e 4 infermierëve të rinj së fundmi dhe dy infermierëve në shërbimin e radioterapisë para dy muajsh, janë zbutur shumë nevojat për personel shëndetësor.

“Me këtë [ardhjen e aparatit] shënojmë një hap të ri, pasi që kemi rregullu komplet infrastrukturën në shërbimin e radioterapisë, kemi instalu dy aparate të reja, një CT Simulator dhe shërbimin e brightterapisë [dritëterapisë] dhe realisht e kemi përmbyll një formë të veçantë të mjekimit me rreze në Republikën e Kosovës” – shtoi Kurtishi.

Këtë, ai e konsideroi arritje shumë të madhe, pasi që tha se shërbimet onkologjike sidomos ato radioterapeutike në Kosovë kanë filluar nga viti 2010 kurse vendet e rajonit nga vitet e 60-ta.

Në këtë vizitë, mori pjesë edhe Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizi.