Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Onkologjia nga këndvështrimet e drejtorit të Klinikës dhe një pacienti

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi dhe Sh.M., pacient në Klinikën e Onkologjisë, kanë folur nga këndvështrimet e tyre për gjendjen në këtë Klinikë, ku trajtohen pacientët e sëmurë me kancer.

Pacienti në fjalë është edhe iniciues i shkrimit të një letre drejtuar krerëve të shëndetësisë në Kosovë, ku kërkohet përmirësimi i kushteve në Onkologji. Kjo letër është përkrahur nga disa pacientë dhe është vendosur në dyert e Klinikës.

Ilir Kurtishi tha se iniciuesi i letrës ka dashur që përmes saj t’i bëjë presion Qeverisë për shtimin e stafit e të hapësirave.

Sh.M. ndonëse i pakënaqur me kushtet e Onkologjisë ai i quajti heronj pjesëtarët e stafit të kësaj Klinike dhe u shpreh i kënaqur me punën e tyre.

“Aty është një numër i jashtëzakonshëm i pacientëve që marrin terapi, është një përpjekje e jashtëzakonshme e stafit për me na shërby mirë, megjithatë gjendja është shumë e rëndë” – tha ai.

Të mërkurën e para tri javëve, Kurtishi tregoi se kanë marrë terapi 350 pacientë, që siç tha ai është numër më i madh i pacientëve sesa në Emergjencën e QKUK-së. Kjo mbingarkesë ai tregoi se ka ndodhur për shkak se e hëna dhe e marta kanë qenë ditë festash dhe është punuar vetëm me kujdestari.

Kur ka ditë pushimi për shkak të festave, edhe Sh.M. tha se krijohet tollovi.

Siç ka shprehur edhe në letrën në fjalë, ai tha se kërkesa e tyre kryesore është që ministri i Shëndetësisë dhe menaxhmenti i QKUK-së ta vizitojnë këtë Klinikë për të parë gjendjen.

Mungesa e stafit është njëra nga ankesat e tij.

Kurtishi pranoi se kanë mungesë të stafit dhe të hapësirave, por tregoi se stafi do të shtohet, kur të fillojnë punën infermierët e rinj, për pranimin e të cilëve SHSKUK është në proces. Drejtori tha se u kanë thënë që do t’u shtohen 10 infermierë, 5 në radioterapi e 5 në kimioterapi.

Ai beson se me ardhjen e tyre do të përmbushen nevojat e tyre. Ndërkaq, për momentin nga 20 infermierë sa ka kjo Klinikë, ai tha se janë rreth 7-8 që janë në pushime të lehonisë, mjekësore apo vjetore, mungesa e të cilëve ua vështirëson punën.

Shefi i Onkologjisë foli edhe për investimet të cilat Ministria sot tha se kanë filluar në këtë Klinikë. Ai tregoi se shtretërit për pacientë do të dyfishohen nga 40 në 80 sosh.

“Ka dalë në tender renovimi i zyreve të mjekëve nalt, i kemi tri dhoma të mjekëve që kanë me u bë dhoma të pacientëve” – tha Kurtishi.

Këto punime, Kurtishi tregoi se planifikojnë që të fillojnë në qershor e të kryhen maksimumi në nëntor.

Numri i madh i njerëzve në objektin e Klinikës është një problematikë tjetër.

Sipas Kurtishit, këtu më së shumti ndikon numri i madh i familjarëve të pacientëve.

Sipas tij, ka raste kur një pacient i merr 4 familjarë, ndërsa shtoi se është gati e pamundur që të mos i lejojnë të mos hyjnë aq shumë familjarë, ndonëse tha se kanë tentuar përmes një rregulloreje dhe dy rojeve, për shkak të dëshirës që kanë familjarët që të jenë pranë pacientit.

Sh.M. tha se kryesisht çdo pacient vjen me një ose dy familjarë.  Ata u pyetën nëse e shohin të arsyeshëm shoqërimin e pacientëve nga familjarët.

“Varet se për çka po flasim, për kategori që i numërojnë ditët, javët, t’ia privosh të drejtën familjarëve me ardhë me i shoqëru, vlerësone vetë” – u shpreh pacienti.

Sipas tij jo domosdoshmërisht familjarët duhet të jenë prezentë, por pyeti se si do të arrijnë 2-3 teknikë të kujdesen për 24 pacientë në sallë, pa prezencën e tyre.

Shumica e pacientëve ai tha se kanë nevojë për t’i sjellë nga qytetet e tjera, për t’u blerë ilaçe e ushqim.

“Dikush që është në gjendje pak ma të rëndë kanë nevojë për familjarë, por jo secili, jo ata që kanë me ardhë me marrë tableta” – tha Kurtishi, i cili shtoi se shumë familjarë mund të rrinë jashtë Klinikës, ku tha se hapësirat janë shumë të mira, e tash është edhe koha e mirë.

Kjo gjendje ai tha se ka qenë më e rregulluar gjatë kohës kur pandemia Covid-19 ishte shumë e përhapur, por edhe atëherë tregoi se kanë pasur probleme me familjarë që kanë dashur të hyjnë brenda.

Drejtori tregoi se planet e tyre janë që deri në fund të vitit të bëhet edhe decentralizimi i shërbimeve. Kështu që një pjesë e vogël e pacientëve të marrin terapitë edhe në Pejë ose në Prizren.

Këtë dëshirë për KALLXO.com e shpreh edhe pacienti.

Më urgjent dhe më problematik Kurtishi tha se është kujdesi paliativ, i cili është kujdesi ndaj pacientëve, sëmundja e të cilëve është në stad të fundit.

Sipas tij, duhet të jetë një staf dhe objekt i veçantë i cili merret me këta pacientë, të cilëve nuk mund t’u bëhet zgjidhje për t’u shëruar por megjithatë duhet t’u jepet terapi.

Në letrën e pacientëve ishte përmendur edhe mungesa e barnave. Sh.M. tha se ai personalisht e blen vetëm barin “vinorelbine”.

Drejtori tha se janë të furnizuar mirë me barna, me përjashtim të tri-katër.

“Jemi mirë të furnizuar me barna, përpos tre-katër barnave të cilat kanë probleme ligjore, ose me operatorët ekonomikë, me këtë ligjin e ri që është bërë, që duhet me pasë autorizim marketingu për me e pru, janë barna që s’po munden me i importu. Tjerat barna janë në rregull” – tregoi ai.

Pacientët janë ankuar edhe për higjienën.

“Çështjet sanitare nuk janë të rregulluara mirë, nuk ka letra” – tha Sh.M.

Drejtuesi i Klinikës tha se i kanë 10 tualete të reja, më të mirat në QKUK, për të cilat kujdesen mirëmbajtësit, mirëpo sipas tij ato dëmtohen nga pacientët e familjarët, të cilët tha se janë të shumtë në numër dhe të pakujdesshëm. Ai tregoi se ka raste kur janë thyer edhe kapakët e guacave.

“Kur janë 350 vetë edhe nga një familjar, 700 vetë, për 8 orë, është e tepërt”.

Ministria e Shëndetësisë sot ka reaguar ndaj kësaj letre, për të cilën ka thënë se nuk e ka pranuar në adresën e saj, por e ka parë në media.

MSH thotë se është angazhuar vazhdimisht që bashkë me bordin dhe menaxhmentin e SHSKUK-së të sigurojnë dhe ngrenë cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientët.

Pacientët e Onkologjisë kërkojnë përmirësim të kushteve, reagon Ministria e Shëndetësisë