Fejzullahu: KEDS, KESCO dhe KOSTT-i gjatë krizës energjetike kanë bërë devijime të qëllimshme

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se për shkak të krizës energjetike në Kosovë, në tri vitet e fundit KEDS, KESCO dhe KOSTT kanë operuar me humbje.

“Në tri vitet e fundit KEDS, KESCO dhe KOSTT kanë operuar me humbje për shkak të krizës energjetike. Të tre këta të licencuar nuk kanë arritur targetet e tyre. Në rastin konkret ata nuk do të kompensohen sepse nuk janë arritur targetet” – tha Fejzullahu në emisionin “Kallxo Përnime”.

Fejzullahu përmendi dënimet prej 10 milionë euro për KEDS dhe KESCO dhe dënimin gjysmë milion euro për KOSTT për shkak të devijimeve të qëllimshme nga ana e tyre.

“Në një periudhë kemi pasur devijime të qëllimshme nga ana e të licencuarve gjatë krizës energjetike. KEDS, KESCO dhe KOSTT nuk kanë dalë me ble energji në tregjet e importit por kanë tërhequr prej sistemit europian dhe janë penalizu për këtë. Ne e kemi penalizuar KEDS-in dhe KESCO-në me rreth 10 milionë euro për shkak të devijimeve të qëllimshme, edhe KOSTT-in me rreth gjysmë milionë euro” – tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Për këto devijime, KESCO kishte bërë kërkesë që t’i njihen si kosto të jobalancave, por që ZRRE kishte refuzuar një kërkesë të tillë.

www.kallxo.com